ATK-ja ka njoftim të rëndësishëm për pagesat e dënimeve me lirim

ATK-ja ka njoftim të rëndësishëm për pagesat e dënimeve me lirim

Ekonomia January 27, 2022 - 09:10

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit, ndaj të cilëve Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative ka shqiptuar gjoba fikse për shkelje të legjislacionit tatimor, se e kanë mundësinë të përfitojnë zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës.

Sipas ATK-së, nëse tatimpaguesi paguan gjobën e shqiptuar brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh, tatimpaguesi lirohet nga pagesa e pesëdhjetë për qind të shumës së gjobës së shqiptuar dhe në këtë rast procedura e ankimimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur.

Të drejtën për të përfituar nga pagesa e gjobës vetëm prej pesëdhjetë për qind e kanë të gjithë tatimpaguesit, duke filluar nga data 01 shkurt e këtij viti.

Në rast se nuk e paguan brenda këtij afati, tatimpaguesi obligohet të paguajë gjobën prej 100 për qind të shumës së përcaktuar.

“Tatimpaguesi, i cili nuk paguan gjobën prej pesëdhjetë për qind (50%) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh, obligohet të paguaj gjobën prej njëqind për qind (100%) të shumës së përcaktuar me Vendim nga ZGjoNA”, thuhet në njoftim.