Ambasadori amerikan Hovenier: Kosova ka nevojë për një sektor dinamik privat

Ambasadori amerikan Hovenier: Kosova ka nevojë për një sektor dinamik privat

Ekonomia January 26, 2022 - 10:59

Fuqizimi dhe thellimi i lidhjeve ekonomike dhe marrëdhënieve tregtare, i cili do të rezultojë në prosperitet më të madh për amerikanët dhe kosovarët, është në mesin e prioriteteve më të larta për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Duke folur në mbledhjen vjetore të Kuvendit të Përgjithshëm të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ambasadori Hovenier ka thënë se viti 2021 ishte vit i mirë për ekonominë e Kosovës dhe që sektori privat është nxitësi kryesor i rritjes ekonomike. Ai theksoi rëndësinë e një sektori dinamik privat, si dhe nevojën e fuqizimit të dialogut me komunitetin e biznesit, dhe shfrytëzimit të fuqisë së investimeve nga diaspora.

“Një ndër prioritetet kryesore të Ambasadës sonë është përkrahja e trajektores evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Kosova është treg i vogël, por ka potencialin të shndërrohet në një qendër të tregtisë dhe investimeve në Evropën Juglindore”, deklaroi ai, duke shtuar se Ambasada e SHBA-së përkrah iniciativat që krijojnë tregti më efikase ndërkufitare dhe që çojnë në një ekonomi më konkurruese dhe më përfshirëse kosovare.

Veç kësaj, ambasadori amerikan tha se derisa sektori publik ka fuqi të arrijë shumë synime, është me rëndësi të largohet nga sektorë të caktuar të ekonomisë, për të lënë sektorin privat të bëjë më të mirën.

Në fund, ambasadori Hovenier u bëri thirrje kompanive në Kosovë të promovojnë dhe zbatojnë masat parandaluese, si maskat e fytyrës, distancën sociale dhe vaksinimin brenda stafit dhe klientëve të tyre, derisa varianti Omicron vijon të jetë i pranishëm dhe po shpërndahet me shpejtësi në Kosovë.

Për këtë temë folën edhe kryetari në largim i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi dhe drejtori ekzekutiv Arian Zeka.

Delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë zgjodhën Bordin e ri të Guvernatorëve, ndërsa për herë të parë përgjatë ekzistencës 18-vjeçare të organizatës, Afrore Rudi nga Deloitte është zgjedhur si presidentja e parë grua e Bordit të Guvernatorëve.