Mehmeti: Rritja ekonomike ishte 9,9 për qind

Mehmeti: Rritja ekonomike ishte 9,9 për qind

Ekonomia January 25, 2022 - 12:49

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se rritja ekonomike në vitin 2021 ishte 9,9%, kurse remitencat arritën në 1.5 miliard euro.

Ndërkaq, roli i BQK-së në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend gjatë kohës së pandemisë, sipas guvernatorit Mehmeti, ka qenë krucial.

“Me fillimin e pandemisë ne kemi marrë masat e duhura për menaxhimin e aspekteve financiare që janë përgjegjësi e BQK-së”, tha Mehmeti në televizionin publik.

Sipas tij, Kosova ka rritje të eksportit dhe shërbimeve, ndërsa tha se janë disa faktorë që kanë ndikuar që vendi të ketë rritje ekonomike me 9,9%.

“Ardhja e diasporës ndikoi në rritjen e konsumit, e që kemi një ardhje masive, e që ne i quajmë shpenzime jorezidente. Me të dhënat e tetorit që i kemi në dispozicion, shënojnë 1.34 miliardë euro, ose një rritje prej 152 për qind nëse e krahasojmë me vitin 2020. Kjo është shifra më e lartë që nga përfundimi i luftës”, deklaroi Mehmeti.

Ai theksoi se ka rritje edhe të investimeve në Kosovë më 2021.