Thellohet deficiti tregtar i Kosovës për 27,8%, në krahasim me vitin e kaluar

Thellohet deficiti tregtar i Kosovës për 27,8%, në krahasim me vitin e kaluar

Ekonomia January 25, 2022 - 11:26

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 27,8% në muajin dhjetor 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 394.9 milionë eurove, duke e krahasuar me deficitin 309.1 milionë eurosh në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 14,1%.

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2021 kishte vlerën 65.0 milionë euro, ndërsa importi 460.0 milionë euro, që është një rritje prej 39,3% për eksport dhe 29,3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, raporton “Zëri”.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30,5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 22,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,1% e përbëjnë produktet minerale; 3,9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15,0% e përbëjnë produktet minerale; 14,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8,6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6,8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 17.2 milion Euro, ose rreth 26.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.4%), Italia (2.9%), Holanda (2.3%), etj.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 210.6 milionë euro, ose 45,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30,4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12,0%), Italia (7,2%), Sllovenia (4,7%), Greqia (4,3%) etj.

Në muajin dhjetor 2021 eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 22.8 milionë euro, ose 35,1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1,0%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (13,5%), Maqedonia e Veriut (13,3%), Serbia (5,4) dhe Mali i Zi (2,0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2021, arritën në 79.4 milionë euro, ose 17,3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14,7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6,4%), Maqedonia e Veriut (5,2%) dhe Shqipëria (4,3%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 24.9 milionë euro, ose 38,4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA-ja (25,9%) dhe Zvicra (6,6%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 169.9 milionë euro, ose 37,0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,4%) dhe Kina (11,0%).