Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore reagon ndaj Kosovës për masat anti-COVID

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore reagon ndaj Kosovës për masat anti-COVID

Ekonomia January 25, 2022 - 11:20

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka reaguar ndaj masave të fundit të marra nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Masat e vendosura për hyrjet dhe daljet e qytetarëve në Kosovë vështirësojnë dukshëm lirinë e lëvizjes, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve nuk mund ta marrin dozën e tretë duke qenë se nuk ka kaluar kohë mjaftueshëm nga doza e dytë (6 muaj), thuhet nga kjo odë.

“Duke u nisur nga fakti që ekonomitë tona janë në goditje të njëpasnjëshme nga krizat që kapluan, vlerësojmë se kjo masë është barrierë shtesë për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi, duke mos lejuar qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, gjë që nuk përkon edhe me logjikën ekonomike në këtë periudhë”, thuhet në komunikatën e kësaj ode.

Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të rishqyrtojnë këtë vendim, duke mos penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve në rajonin tonë, si dhe duke mos dëmtuar akoma dhe më shumë sektorin e gastronomisë.