The Guardian: Kosova i ndal prodhuesit e bitcoinave, konsumues të mëdhenj të energjisë

The Guardian: Kosova i ndal prodhuesit e bitcoinave, konsumues të mëdhenj të energjisë

Ekonomia January 18, 2022 - 11:31

Për entuziastët e bitcoinit në Kosovë me qëndrim të fortë për të rrezikuar, ka qenë javë e mirë për të bërë marrëveshje për pajisje kompjuterike, që mund të krijojnë kriptovaluta.

Nga Facebook-u te Telegram-i, postimet e reja në grupet e kriptovalutave në internet u mbizotëruan nga kosovarët e zhgënjyer që përpiqeshin t’i shisnin pajisjet e tyre për prodhimin e kriptovalutave – shpesh me çmime shumë të ulëta.

“Ka shumë panik dhe ata po i shesin (pajisjet) ose po mundohen që t’i vendosin në shtetet fqinje”, tha cryptoKapo, investitor në kriptovaluta dhe administrator i disa nga komuniteteve më të mëdha të kriptovalutave në rajon.

Veprimet e harbuara në rrjete sociale vijnë pas njoftimit të qeverisë kosovare në fund të vitit të kaluar për një ndalim të menjëhershëm, ndonëse të përkohshëm, të tërë veprimtarisë prodhuese të kriptovalutave si pjesë e masave urgjente për lehtësimin e krizës së rëndë energjetike.

Bitcoin-i dhe kriptovalutat tjera krijohen ose “mihen” nga kompjuterët e fuqishëm, të cilët garojnë për të zgjidhur enigma të ndërlikuara matematikore në një proces që kërkon shumë energji dhe i cili i shpërblen njerëzit në bazë të sasisë së fuqisë kompjuterike që ata e ofrojnë.

Nxitja për t’u futur në lojën e mihjes në Kosovë, një nga shtetet më të varfra në Evropë, është e qartë. Kjo kriptovalutë tash për tash tregtohet me më shumë se 31.500 funte për një njësi, përderisa Kosova i ka çmimet më të lira të energjisë në Evropë, pjesërisht falë prodhimit të më shumë se 90 për qind të rrymës nga rezervat e pasura të thëngjillit, ndërsa faturat e karburanteve po subvencionohen nga Qeveria.

Prodhimi më masiv i kriptovalutave mendohet se po ndodh në veri të vendit, kur popullsia me shumicë serbe refuzon që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe rrjedhimisht nuk e ka paguar rrymën për më shumë se dy dekada.

Ka para serioze që mund të bëhen – dhe në kohën kur furnizimi me energji ishte i gatshëm, këto para po bëheshin. Numri i njerëzve që “mihin” kriptovaluta në Kosovë mendohet se është rritur shumë në vjetët e fundit. Grupet si “Albanian Crypto Amateurs” në Facebook dhe “Crypto Eagles” në Telegram kanë “shpërthyer” me mijëra anëtarë të rinj, ndonëse është e paqartë se sa prej tyre janë duke “mihur” kriptovaluta” ose në çfarë niveli.

Por lajmi i mirë duket se ka marrë fund – të paktën tash për tash – dhe zhvillimet në Kosovë e vënë në pah një nga pyetjet e mëdha rreth të ardhmses së “Bitcoin”-it dhe valutave tjera të tilla digjitale.

Llogaritja e fundit nga indeksi për konsumimin e energjisë elektrike nga “Bitcoin”-i, indeks i Universitetit të Kejmbrixhit”, sugjeron se “mihja” e kësaj valute konsumon 125.96 teravatë orë energji në vit, sasi më e madhe se harxhimi i energjisë në Norvegji (122.2 teravatë), Argjentinë (121 teravatë), Holandë (108.8 teravatë) dhe Emirate të Bashkuara Arabe (113.2 teravatë).

Ndërkohë kosovarët i kaluan ditët e fundit të vitit 2021 në errësirë, pasi faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë u bënë bashkë për të shkaktuar ndërprerje rryme në mbarë vendin. Në kulmin e krizës, një ndalje e paparashikuar në njërin nga dy centralet e saj të rrymës e detyroi Kosovën që ta improtojë rreth 40 për qind të energjisë në tregjet ndërkombëtare – ku çmimet janë rritur shumë – dhe qeveria u detyrua që të ofronte subvencionim urgjent për të ndihmuar në plotësimin e kërkesës.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Dr. Artane Rizvanolli, tha se për këtë vendim s’duhen shumë mend, shkruan The Guardian.

“Kemi ndarë 20 milionë euro për subvencionim të energjisë, që ndoshta nuk do të mjaftojnë, dhe këto janë para të taksapaguesve që do ta subvencionojnë konsumimin e energjisë. Në anën tjetër, e kemi mihjen e kriptovalutave, që është aktivitet me energji të lartë dhe që nuk është i rregulluar (me ligj)”, tha ajo.

Kosova nuk është e vetme. Në shtatorin e kaluar, dhjetë rregullatorët më të fuqishëm në Kinë u zotuan se do ta shkatërronin industrinë e mihjes së kriptovalutave.

Në Islandë, kompania kombëtare e energjisë, “Landsvirkjun”, ka thënë se do t’i ktheje mbrapsht mihësit e mundshëm të kriptovalutave në kohën kur vendi po përballet me mungesë të energjisë. Javën e kaluar, një komision i fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara njoftoi se do të organizojë një seancë për këtë çështje. Mihësit e kriptovalutave në ShBA besohet se janë konsumuesit më të mëdhenj të energjisë, të ndjekur nga Kazakistani dhe Federata Ruse.

“Është koha që të kuptohen dhe të adresohen ndikimet e rrëpira mjedisore dhe energjetike që kjo po ka në komunitetet tona dhe në planetin tonë”, thanë kryetari i komisionit, Frank Pallone, dhe Diana DeGette, që e udhëheq panelin mbikëqyrës.

Alex de Vries, ekonomist i vendosur në Paris, tha se vlerësimet e tij fillestare në një punim që do të publikohet më vonë këtë vit sugjerojnë se vetëm çereku i energjisë së përdorur nga mihësit e kriptovalutave është i rigjenerueshëm: “Pyetja vërtet është: çfarë po merr si shëkmbim për këtë?”

Jason Deane, shef i analistëve për “Bitcoin” në “Quantum Economics”, tha se ai beson që ekzistojnë një varg përparësish, përfshirë ofertën për transaksione të menjëhershme financiare, pothuajse falas, me siguri që do të ketë rregullim të menjëhershmë dhe se problemet e tanishme që po dalin duhet të vendosen në perspektivë.

Që nga koha kur autoritetet kosovare e morën vendimin, oficerët e policisë dhe doganave kanë filluar që të kryejnë bastisje rregullisht, duke konfiskuar qindra pjesë pajisjesh.

Përderisa gjendja emergjente 60-ditore e energjisë mbetet në fuqi, mundësia për rregullim në të ardhmen dhe rritje të çmimit të faturave të energjisë e lënë të ardhmen gjithçka tjetër pos të qartë.

“Ka shumë njerëz që kanë investuar në pajisjet për mihjen e kriptovalutave dhe nuk është investim i vogël”, tha cryptoKapo. “Njerëzit kanë marrë edhe bua për të investuar dhe tash ndikimi është shumë i keq në jetën e tyre”, shtoi ai./Gazeta Express