BQK-ja ndihmon KEK-un në tejkalimin e krizës energjetike

BQK-ja ndihmon KEK-un në tejkalimin e krizës energjetike

Ekonomia January 10, 2022 - 14:43

Banka Qendrore e Kosovës do ta ndihmojë Korporatën Energjetike të Kosovës për ta tejkaluar situatën emergjente energjetike, duke mos aplikuar norma negative në depozitat e KEK-ut në BQK, duke i mbuluar kostot që KEK-u ka me bankat ndërkombëtare. Këtë e konfirmoi guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, gjatë një takimi që zhvilloi sot me kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Si rrjedhojë, guvernatori Mehmeti e njoftoi Krasniqin se BQK-ja do të marrë vendim që të mos aplikojë norma negative në depozitat e KEK-ut në BQK, por këto kosto me bankat ndërkombëtare do t'i bartë vetë BQK-ja”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Nga ana tjetër, Krasniqi falënderoi Mehmetin për gatishmërinë që të ndihmojë në përballimin e vështirësive me të cilat po ballafaqohen. Gjithashtu, të dyja palët u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, në fushat me interes të përbashkët. /Zëri