Mali i Zi, afër zgjedhjes së “Bechtel”-it për ndërtimin e autostradës së Adriatikut

Mali i Zi, afër zgjedhjes së “Bechtel”-it për ndërtimin e autostradës së Adriatikut

Ekonomia December 28, 2021 - 11:11
Mali i Zi tha të mërkurën se ishte afër përfundimit të një marrëveshjeje me konstruktorin amerikan “Bechtel” për të përfunduar autostradën Adriatik - Jon në Shqipëri, pavarësisht reputacionit jo të mirë të kompanisë në rajon.

Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale e Malit të Zi njoftoi të mërkurën se autostrada Adriatik - Jon ka të ngjarë të ndërtohet nga “Bechtel”-i, një kompani amerikane e lidhur më parë me disa projekte të diskutueshme në rajon. Pas takimit me përfaqësuesin e “Bechtel”-it, Andrew Patterson, ministri Milojko Spajiç tha se një memorandum bashkëpunimi mund të nënshkruhet në javët e ardhshme.

“Studimi dhe ndërtimi i autostradës Adriatik - Jon është projekti i parë, shembulli i parë i infrastrukturës së ndërtuar sipas të gjitha standardeve të BE-së dhe NATO-s. Në javët e ardhshme kryeministri Zdravko Krivokapiç dhe drejtori ekzekutiv i ‘Bechtel’-it do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për të filluar zyrtarizimin e të gjitha marrëveshjeve dhe specifikimin e investimeve të planifikuara”, tha Spajiçi.

Në nëntor 2015 Mali i Zi dhe Shqipëria nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me “China Pacific Construction Group” CPCG, për të ndërtuar një autostradë ekspres prej 1.4 miliard eurosh midis Malit të Zi dhe Shqipërisë – autostradën Adriatik - Jon.

Pavarësisht njoftimeve se ndërtimi i pjesës prej 110 kilometrash do të përfundonte në vitin 2018, projekti ngeci. Më 28 qershor Ministria për Investime Kapitale njoftoi se kostoja mesatare e parashikuar e autostradës për kilometër përgjatë bregdetit malazez ishte rreth 13.2 milionë euro.

Më 11 nëntor, kryeministri Krivokapiç tha se autostrada do të ndërtohej nga një kompani amerikane, ndërsa Spajiçi më 16 dhjetor tha se një marrëveshje me “Bechtel”-in do të arrihet deri në fund të vitit.

Në shkurt 2014, konsorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka” iu përgjigj një thirrjeje publike për ndërtimin e fazës së parë të autostradës Bar-Boljare në Mal të Zi, por qeveria më vonë bëri një marrëveshje me “China Road and Bridge Corporation” CRBC. Ministria e Transportit preferoi ofertën e CRBC-së prej 809.6 milionë eurosh ndaj kërkesës së “Bechtel-Enka”-s për 1.2 miliard euro.

Më 15 korrik, Maqedonia e Veriut miratoi një ligj të posaçëm që i lejon qeverisë së saj të negociojë me “Bechtel-Enka”-n për ndërtimin e tre pjesëve të rëndësishme të autostradës, pasi tashmë ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në prill, i cili ende nuk është publikuar.

Në vitet e mëparshme kompania amerikane është lidhur me marrëveshje të diskutueshme në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2013, Rumania anuloi një kontratë me “Bechtel”-in për të ndërtuar një autostradë në Transilvani, pas dhjetë vitesh punë të parregullta dhe me vetëm 52 km rrugë të përfunduara nga 415 km të parashikuara. “Bechtel”-i e filloi punën në autostradën e Transilvanisë në vitin 2004 me një kontratë 2.2 miliardë eurosh.

Në vitin 2006, “Bechtel-Enka” fitoi kontratën shqiptare për ndërtimin e 60 km të të ashtuquajturës “Rruga e Kombit” nga Shqipëria në Kosovë për 418 milionë euro. Kontrata për ndërtimin e pjesës së Kosovës iu dha në prill 2010 të njëjtit partneritet.

Megjithatë, kjo u pasua nga lobimi i ambasadorit të atëhershëm amerikan në Kosovë, Christopher Dell. Dell, që atëherë është punësuar nga “Bechtel”-i si drejtor në Afrikë, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me ndershmërinë e marrëveshjes.

Në Serbi, “Bechtel-Enka” e Turqisë po ndërton autostradën “Korridori i Moravës”, pasi është përzgjedhur si ofertuesi i vetëm, pasi qeveria miratoi një ligj të posaçëm, që lejonte pezullimin e procedurave normale të prokurimit publik, me arsyetimin se Serbia “nuk ka kohë për të humbur.” /BIRN