Ministrja Hajdari, e vendosur për reciprocitet ndaj mallrave serbe

Ministrja Hajdari, e vendosur për reciprocitet ndaj mallrave serbe

Ekonomia November 24, 2021 - 13:59

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se me miratimin e pesë ligjeve të dikasterit të saj i kanë përmbushur obligimet për agjendë të Bashkimit Evropian për MSA-në.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për medie, ministrja Hajdari foli edhe për masat e reciprocitetit ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, për çka tha se do të vendosen masa të reciprocitetit, raporton Televizioni Publik.

“Do të vendosen dhe janë duke u vendosur veçse. Nëse kuptoni termin e reciprocitetit do të thotë barazi edhe këtë do ta shtyjmë përpara. Por unë nuk marr asnjë vendim pa një analizë të mirëfilltë dhe masat do të vendosen kur ne do të jemi të gatshëm, pasi efekti nuk do të jetë çështje ditësh, por në afat 5-vjeçar”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës sot e ka miratuar draftin e koncept-dokumentit për mbrojtjen e konsumatorit.

Ministrja Hajdari, në mbledhjen e Qeverisë, e ka shpalosur këtë koncept-dokument dhe ka thënë se është për të mirën e ekonomisë.

“Koncept-dokumenti për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për konsumatorin parasheh ndryshime ligjore për të përmbushur detyrimet nga Kushtetuta dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Ky projekt-dokument buron nga prioritet e Qeverisë së Kosovës dhe nga programi për mbrojtjen e konsumatorit, ky koncept-dokument është përgatitur në përputhje të normave, për hartimin e koncept-dokumenteve, si dhe përbën një masë të domosdoshme për mbrojtjen e konsumatorit dhe zhvillimit të vendit”, ka thënë Hajdari gjatë mbledhjes së Qeverisë. /Zëri