Peci: Për katër muaj, tre milionë euro për kompensimin e dëmeve në bujqësi

Peci: Për katër muaj, tre milionë euro për kompensimin e dëmeve në bujqësi

Ekonomia November 24, 2021 - 12:35

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural brenda katër muajve ka ndarë një buxhet prej tre milionë eurove për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore për 3530 fermerë nga të gjitha komunat e Kosovës.

Kështu është thënë në një njoftim për media nga kjo Ministri, ku u theksua se propozim-vendimi i dytë i MBPZHR-së për ndarjen e 1.7 milion eurove është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë, ku krahas kësaj në këtë mbledhje është aprovuar edhe pakoja e 19 projektligjeve të iniciuara nga ministri Faton Peci, të cilat kanë për qëllim vendosjen e ligjshmërisë dhe drejtësisë, në harmonizim të plotë me zbatimin e sanksioneve kundërvajtëse në bujqësi.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Peci ka treguar se me aprovimin e këtyre propozimeve që u bënë sot dhe përmes masave të ndërmarra gjatë këtij mandati po mundësojnë që sektori i bujqësisë të zhvillohet e avancohet përmes politikave të duhura bujqësore.

“Me miratimin e propozim vendimit të sotëm, kemi mundësuar që brenda katër muajve buxheti për kompensimin e dëmeve në bujqësi e blegtori të arrijë vlerën prej 3 milionë eurove. Nga ky buxhet me 1.3 milion euro që rrjedhin nga propozim-vendimi i parë kemi kompensuar 1070 fermerë përfitues për periudhën kohore korrik – dhjetor 2020, ndërkaq me 1.7 milion të aprovuara sot do të kompensojmë 2460 fermerë përfitues për periudhën kohore janar – tetor 2021”, ka thënë Peci, duke shtuar se përmes këtyre masave të ndërmarra po ua lehtësojnë veprimtaritë bujqësore fermerëve të dëmtuar.

Po ashtu, ai ka treguar se është aprovuar edhe pakoja prej 19 projektligjeve nga Kabineti Qeveritar, të cilat theksoi se kanë për qëllim realizimin e objektivave për të përmirësuar qasjen në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të legjislacionit dhe modernizimin e legjislacionit në përgjithësi në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Këto projektligje kanë për qëllim që t’i adresojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e autoriteteve përkatëse në Ministri, duke vendosur kështu ligjshmërinë dhe drejtësinë, në harmonizim të plotë me zbatimin e sanksioneve kundërvajtëse në bujqësi”, tha Peci. /Zëri