KEDS-i paralajmëron rritje të çmimit të rrymës

KEDS-i paralajmëron rritje të çmimit të rrymës

Ekonomia November 19, 2021 - 10:26

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike ka shkaktuar edhe rritje të madhe të vlerës së importit të energjisë.

Kështu së paku thuhet në një njoftim nga KEDS-i, ku për pasojë paralajmërohet edhe rritja e çmimit të rrymës për konsumatorët kosovarë.

"Rënia  e temperaturave pritet të rrisë tutje konsumin dhe si rrjedhojë edhe nevojën për import shtesë, pasi prodhimi vendor është i kufizuar. Kështu, llogaritet të ketë kosto astronomike dhe të papërballueshme jo vetëm për KEDS-in dhe KESCO-n, por për të gjithë qytetarët e Kosovës", thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Më tej thuhet se KEDS-i dhe KESCO gjatë tetorit të këtij viti, pra për një muaj, përkundër motit të mirë, ka importuar 9,15 milionë euro energji elektrike, një rritje enorme nga 1.5 milion euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

"Kjo rritje ka rrjedhur nga çmimet ekstreme dhe rritjes së kërkesës. KEDS-i dhe KESCO ka blerë gjatë tetorit energji elektrike me çmim mesatar prej 242 euro për megavat/orë, një rritje prej gati pesëfish nga tetori i vitit 2020, kur energjia elektrike ishte importuar me çmim mesatar prej 49 eurosh për megavat/orë. Konsumi është rritur për 18 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar", ka njoftuar kjo kompani.

Sipas njoftimit, për shkak të rritjes së konsumit, KEDS-i dhe KESCO janë detyruar të importojnë gjatë muajit tetor 37.753 megavate orë energji elektrike. Trendi i rritjes së konsumit, sipas KEDS-it ka vazhduar edhe gjatë nëntorit, sikurse edhe blerja me çmime të larta, madje mbi ato të muajit tetor.

Prandaj, thotë KEDS-i, kursimi maksimal dhe përdorimi i formave alternative për ngrohje është i domosdoshëm në të gjithë vendin. /Zëri