Asnjë vendim i mirë në sektorin e energjisë në 20 vjetët e fundit, thotë Kurti

Asnjë vendim i mirë në sektorin e energjisë në 20 vjetët e fundit, thotë Kurti

Ekonomia November 18, 2021 - 10:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në prezantimin e Grupit Punues për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, ku ndër të tjera ka thënë se për dy dekada s’ka pasur ndonjë vendim të mirë në sektorin e energjisë.

“Gjatë 20 vjetëve të fundit sektori i energjisë nuk ka pasur pothuajse asnjë vendim në të mirë të qytetarëve, që është bazuar në studime, analiza shumëdimensionale dhe të dhëna faktike. Ne duhet të ofrojmë siguri të furnizimit, si për amvisëri, ashtu edhe për bizneset”, ka thënë kryeministri Kurti, raporton “Zëri”.

Kurti, gjithashtu, ka thënë se Strategjia e Energjisë 2022-2031 po hartohet nga ekspertët dhe në proces demokratik.

“Kjo strategji do të përcaktojë tranzicionin e drejtë energjetik, tranzicion i cili do të diversifikojë miksin e energjisë, do të ruajë sigurinë e furnizimit, do të promovojë energjinë e pastër dhe bashkëpunimin rajonal, në radhë të parë me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera”, ka thënë ai.

Ajo që ka treguar kryeministri është se kanë një plan që të krijojnë mekanizma mbështetës për familjet me të ardhura të ulëta ose të mesme, “të cilat do të përfshijnë programe sikurse shfrytëzimi i paneleve solare në çati, adaptimi i masave të efiçiencës së energjisë e të tjera, për t’u siguruar që tranzicioni do të jetë i drejtë për të gjithë”. /Zëri