Miratohet buxheti për vitin 2022 – opozita e kundërshton, Murati e vlerëson të balancuar

Miratohet buxheti për vitin 2022 – opozita e kundërshton, Murati e vlerëson të balancuar

Ekonomia November 17, 2021 - 11:25

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka raportuar në Komision për këtë çështje, duke sqaruar planet dhe projektet e Qeverisë.

“Ky projektligj parasheh mbi 2 miliardë euro si shpenzime, kurse të hyra janë mbi 2 miliardë. Kemi një ngadalësim lidhur më deficitin. Risi në këtë projektligj parashihen përveç rritjes në disa dikastere ka edhe vazhdimin e ringjalljes ekonomike. Risi tjetër është edhe përfshirja e pagesës së TVSH-së në projekte”.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se në buxhet ka shumë lëshime, duke filluar nga numri i ministrive e agjencive.

“Ky projektligj lë shumë për të dëshiruar. Në këtë projektligj ka disa lëshime teknike. Qysh me i besuar unë që edhe tabelat e tjera janë barazua. Qeveria thotë se ka ma pak ministri, por ju në tabela keni figurua edhe ministrit që s’janë funksionale. Pastaj keni shti organizata që s’janë funksionale”, tha Lushtaku.

Sipas ministrit Murati, për dallim nga vitet e kaluara, ky buxhet është i balancuar.

“Ketë vit kemi buxhet të balancuara për dallim të viteve paraprake dhe çështjet e tjera janë çështje teknike”.

Lushtaku më tej tha se është rritur borxhi publik, është ulur buxheti për Ministrinë Shëndetësisë dhe është rritur ai për Ministrinë e Infrastrukturës.

“Shihet qartë që ka rritje prejse jeni ju në Qeveri. Ku keni zvogëluar buxhetin për shëndetësi dhe keni rritur buxhetin për Ministrinë e Infrastrukturës”.

Murati fajin për rritjen e buxhetit në Infrastrukturë ia ka lenë qeverisë së kaluar.

“Neve na i keni lenë borxhe ju në infrastrukturë dhe ne s’e kemi rrit buxhetin, por po i shlyejmë borxhet tuaja”.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka ngritur shumë pikëpyetje për mënyrën sesi janë ndarë buxhetet për dikasteret ministrore.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar sqarimi në lidhje me rritjen e pagave për buxhetin e RTK-në.

“2 milionë euro ia keni marrë RTK-së, e falimentojmë nëse ia marrim”.

Për pagën minimale Murati tha se do të rritet në bazë të rritje ekonomike. Për RTK-në ai tha se 100 persona marrin paga sa të ministrave dhe se televizioni publik e ka buxhetin më të madh se të Kuvendit të Kosovës.

“100 paga në RTK më të madhja se ministrave, RTK-ja ka buxhet më të madh se Kuvendi”. /EO