Kurti: Pas shtatë vjetësh po e rikthejmë Terminalin Doganor në “Trepçë”

Kurti: Pas shtatë vjetësh po e rikthejmë Terminalin Doganor në “Trepçë”

Ekonomia November 02, 2021 - 09:53

Sot, pas shtatë vjetësh, është bërë rihapja e Terminalit Doganor në “Trepçë”, ku në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti bashkë me disa ministra nga kabineti i tij.

Kurti e ka cilësuar si ditë mjaft të rëndësishme rihapjen e këtij terminali, ndërsa ka thënë se do të ndihmojë ekonominë e Kosovës dhe të bërit më lehtë biznes, transmeton Zeri.info.

“Një ditë tejet e rëndësishme, është një arritur që na ndihmon të gjithëve, edhe shtetin e Kosovën dhe ‘Trepçën’, por edhe ekonominë e Kosovës, e në veçanti të bërit biznes, që do të hiqet një kosto e panevojshme, që do të bëjë të funksionojë më mirë e më lirë edhe për të mirën e tyre, edhe të qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Ai tha se për shtatë vjet ky terminal i ishte privuar “Trepçës” për përfitime personale dhe në dëm të shtetit, ku në atë kohë 24 punëtorë kishin mbetur pa punë për shkak se terminali kishte dalë nga hapësirat e “Trepçës”.

“Nga vitit 2003 – 2014 terminali doganor ka qenë në hapësirën e ‘Trepçës’, ku më pas padrejtësisht e çuditërisht kjo hapësirë i është privuar ‘Trepçës’ për terminal doganor dhe i është dhënë një privati jashtë zonës së ‘Trepçës’. Me këtë rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune, në këtë mënyrë kanë humbur bizneset, ‘Trepça’ dhe ka fituar një privat.

Shtatë vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor, po e rikthejmë në ‘Trepçë’ atë që gjithmonë i ka takuar dhe po korrigjojmë një dëm që i është bërë. Në atë kohë 24 punëtorë kanë punuar në Terminalin Doganor të ‘Trepçës’ dhe kishin mbetur pa punë atëherë kur e kishin nxjerrë jashtë kësaj hapësire Terminalin Doganor”, shtoi Kurti.

Po ashtu edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ishte pjesëmarrës në ceremoni, tha se Qeveria do t’ia kthejë “Trepçës” aktivitetin e saj primar përmes buxhetit që është miratuar ditë më parë për vitin 2022.

Murati tha se deri në mesin e vitit të ardhshëm terminale të tilla do të shtrihen në gjithë Kosovën.

“Është një ditë ku me një veprim të tillë ka shumë përfitues, ‘Trepçës’ do t’i kthehet aktiviteti primar, për çka kemi ndarë buxhet, në mënyrë që ‘Trepça’ të funksionojë si minierë dhe shkritore që të kontribuojë në zhvillim të vendit. Deri në mesin e vitit të ardhshëm do të shtrihen terminale të tilla në gjithë Kosovën”, u shpreh Murati.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se pas 20 vjetësh ndërmarrjet publike po kthehen në funksion në të mirë të qytetarëve.

Ajo shtoi se buxheti i miratuar për vitin e ardhshëm tregon përkushtimin e Qeverisë për ndërmarrjet publike.

“Është kënaqësi të shohim një rikthim të rolit të ndërmarrjeve publike përtej rolit industrial dhe po shohim që ndërmarrjet publike po i kthehen funksionit në të mirë të qytetarëve, që është në kundërshtim me atë që ka ndodhur në 20 vjetët e fundit që ndërmarrjet publike janë përdorur për interesa private. Buxheti i miratuar për vitin e ardhshëm e tregon përkushtimin tonë që kemi për ndërmarrjet publike për t’ua kthyer atyre performancën më të mirë biznesore”, tha Rizvanolli. /Zëri