Kurti hedh fajin te pandemia si shkaktare e rritjes së çmimeve
Foto: Laura Hasani

Kurti hedh fajin te pandemia si shkaktare e rritjes së çmimeve

Ekonomia October 28, 2021 - 10:42

Kryeministri i vendit Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Muratin kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me Pakon e ringjalljes ekonomike, raporton Zeri.info.

Ndonëse në Kosovë është shënuar ngritje e çmimeve, Kurti ka thënë se ekonomia e Kosovës nuk ka përjetuar asnjëherë rritje sikurse në këtë vit.

Ai tha se në Kosovë është rritur aktiviteti ekonomik, eksporti dhe të hyrat buxhetore.

“Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10% dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit. Aktiviteti ekonomik është shtuar për afër 30%, eksportet janë rritur mbi 60% e po ashtu janë rritur të hyrat buxhetore për 34%. Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë është motori kryesor për zhvillimin ekonomik të një vendi. Investimi në prodhimtari nënkupton ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe shtim të vendeve të reja të punës”, ka thënë Kurti.

Për sa i përket rritjes së çmimeve të shumë produkteve, shefi i ekzekutivit të Qeverisë tha se është pasojë ekonomike e pandemisë.

“Pasojat ekonomike të pandemisë, që po përcillen edhe me luhatje të çmimeve, vënë në pah dy faktorë. E para, si pasojë e shkëputjes së zinxhirëve të furnizimit shumë vende të Evropës po shohin vendit që i kanë më afër si eksportues potencial, si dhe e dyta, theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor. Pandemia na dëshmoi që prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi, si për nga aspekti i sigurisë ekonomike, ashtu edhe për nga aspekti i krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës. Pavarësisht nga kjo prodhuesit tanë kanë treguar se vullneti dhe puna e palodhshme nuk ka munduar asnjëherë, por është dora e shtetit ajo e cila nuk ka qenë e pranishme”, tha Kurti. /Zëri