Peci thotë se vitin 2022 do ta nisin pa borxhe ndaj fermerëve

Peci thotë se vitin 2022 do ta nisin pa borxhe ndaj fermerëve

Ekonomia October 27, 2021 - 18:06

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka marrë pjesë sot në debatin live të organizuar nga Lëvizja FOL, ku ka prezantuar politikat bujqësore dhe ka treguar se “gjatë kësaj periudhe të këtij viti përmes mekanizmave shtetërorë, avancimit të legjislacionit aktual, si dhe politikave të duhura zhvillimore” ka “krijuar kushte të favorshme për zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë, si një prioritet i së ardhmes për zhvillim ekonomik të vendit”.

Me këtë rast, Peci ka thënë se edhe në kuadër të Planit të Punës së MBPZHR-së kanë arritur të realizojnë shumicën e aktiviteteve të parapara për të përmbushur objektivat e përcaktuara në këtë plan.

Ai tha se përmes masave që janë ndërmarrë këtë vit, vitin 2022 do ta nisin pa borxhe për përfituesit e programeve mbështetëse.

“Masat që kemi ndërmarrë gjatë këtij viti, do të mundësojnë që vitin 2022 ta fillojmë pa borxhe për përfituesit e përkrahjes në kuadër të programeve mbështetëse”, ka thënë Peci.

Po ashtu, ministri ka treguar se gjatë këtij viti përveç tjerash ka adresuar gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në procedurat e subvencionimit, ku duke u nisur nga këto gjetje në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2021 kanë zbatuar rekomandimet e dala nga ZKA-ja.

Ndërkaq, pas zhvillimeve që kanë ndodhur në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ai ka treguar që për implementimin e programeve mbështetëse për fermerë kanë aktivizuar të gjithë stafin e MBPZHR-së dhe të dy Agjencive që funksionojnë në kuadër të Ministrisë, që të angazhohen për realizimin e kësaj mbështetjeje financiare.