BSPK-ja e shqetësuar me rritjen e çmimeve, kërkon nga Qeveria rritjen e pagës minimale

BSPK-ja e shqetësuar me rritjen e çmimeve, kërkon nga Qeveria rritjen e pagës minimale

Ekonomia October 26, 2021 - 12:42

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) është shprehur i shqetësuar me rritjen e çmimeve të artikujve esencialë në Kosovë.

Sipas BSPK-së, kjo situatë e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend, transmeton Zeri.info.

“Fatkeqësisht, edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencialë, siç janë: mielli, vaji sheqeri etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët, si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, është shprehur kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli.

Ai ka ftuar Qeverinë që të iniciohet rritja e pagës minimale në vend, pasi sipas tij kjo do ta lehtësonte gjendjen në të cilën po kalon Kosova.

“Si kryetar i BSPK-së dhe njëkohësisht si kryesues i Këshillit Ekonomik-Social, e ftoj publikisht Qeverinë që t’i bashkohet Këshillit Ekonomik-Social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend. Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë, në mënyrë që të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim, që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend”, ka thënë Hykolli, duke shtuar se BSPK-ja mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me Qeverinë dhe secilin institucion që mbështet kauzën e drejtë sociale për rritjen e pagës minimale në vend. /Zëri