Shoqata e Bankave jep sqarime për subvencionimin e kredive konsumuese

Shoqata e Bankave jep sqarime për subvencionimin e kredive konsumuese

Ekonomia October 20, 2021 - 13:19

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka filluar zbatimin e Masës 3.6 për mbështetjen e likuiditetit familjar, që nënkupton subvencionimin e kredive konsumuese.

Me këtë rast Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) njoftohen të gjithë klientët e bankave, si dhe publikun e gjerë që gjatë aplikimit për kredi konsumuese në bankën e tyre ata duhet të ndjekin procedurat standarde për aplikim.

Gjithashtu, SHBK-ja thotë se bankat komerciale gjatë procesimit të aplikacioneve për kredi do të ndjekin procedurat standarde të vlerësimit dhe aprovimit të kredive.

“Rrjedhimisht, bankat nuk do të paragjykojnë aprovimin ose jo të subvencionimit të kredisë dhe nuk do të kenë asnjë procedurë të veçantë ose informacion shtesë në lidhje me këtë masë. Në rast të aprovimit të kredisë klienti duhet t’i drejtohet platformës eKosova, ku mund të plotësojë formularët e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e SHBK-së.

Në vijim gjeni udhëzimet e publikuara nga Ministria e Financave:

Kush mund të përfitojë?

Të gjithë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10.000 euro, nga data 1 tetor 2021 e tutje, do të mundë të aplikojnë për subvencionim të kredisë.

Sa është shuma e subvencionimit?

Shuma që përfiton secili aplikues që kualifikohet është 10% e shumës së kredisë, deri në maksimumin prej 300 eurove.

Shembull:

Nëse kredia është 1,500 euro, subvencionimi do të jetë 150 euro;

Nëse kredia është 3,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro;

Nëse kredia është 5,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro.

Çka duhet të bëni për të përfituar?

Pasi të keni marrë kredinë nga një institucion financiar i licencuar, duhet të plotësoni formularin për aplikim në eKosova.

Pas konfirmimit të saktësisë së aplikacionit, subvencioni paguhet në llogarinë bankare të kredimarrësit.

“Me këtë masë synohet mbështetja e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, mbylljen e bilanceve të kredit kartelave ose çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes", ka theksuar Shoqata e Bankave të Kosovës në njoftim. /Zëri