Projektligji për kriptovalutat kompleks, hartimi po bëhet me kujdes të veçantë

Projektligji për kriptovalutat kompleks, hartimi po bëhet me kujdes të veçantë

Ekonomia October 16, 2021 - 08:35

Projektligji për kriptovaluta që pritet të finalizohet në fund të vitit 2021 nga Kuvendi i Kosovës, po shihet si diçka pozitive, që mund të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike. Mirëpo, hartimi po bëhet ngadalë dhe me kujdes të veçantë për shkak të kompleksitetit të kësaj çështje/

Lidhur me këtë kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, tha për Ekonomia Online, se tashmë kanë filluar me punën e përzgjedhjes së ekipit dhe ekspertëve të kësaj fushe, që të punohet profesionalisht për  hartimin e këtij ligjit.

“Ne tashmë kemi krijuar ekipin i cili po punon në kuadër të Komisionit për hartimin e ligjit, në këtë relacion jemi në pikët e përzgjedhjes së një ose eventualisht dy këshilltarëve specialistë që e njohin tregun e kriptovalutave në mënyrë që ne të punojmë pak edhe me grupet profesionale por edhe me grupet e interesit në mënyrë që të hartojmë një ligj të nevojshme por edhe të zbatueshëm dhe që do rregulloj tregun. Dhe nga java e ardhshme të vazhdohet me punën e grupeve punuese”.

Shala tha se nuk duan që të nguten pasi e konsiderojnë këtë çështje të panjohur për vendin, duke shtuar se kujdesi është i nevojshëm.

“Sigurisht në këtë relacion nuk po ngutemi, për shkak të implikimeve që ka, dhe që është fushë e re dhe e parregulluar. Po vendoset A-ja e parë apo hapi i parë i rregullimit institucional e ligjor për këtë industri të kriptovalutave duke konsideruar që duhet të jemi të kujdesshëm në hapat që i marrim”.

E në anën tjetër kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se qytetarët kanë pasur frikë të investojnë për shkak të mungesës së ligjit.

“Kriptovaluta në ekonominë e Kosovës është një çështje virtuale ende e panjohur në Kosovë, ku shumë njerëz janë të interesuar të investojnë në këtë valutë por kanë frikë sepse nuk ekziston ligji për to. Pavarësisht se janë ligjet e aplikuara ndërkombëtare, Kosova nuk e ka një ligj të tillë”.

“Ne kemi shumë investitorë në Kosovë, që kanë investuar në kriptovaluta por mbajtja e tyre është bërë në shumicën e rasteve ilegale. Tashmë pritet që kjo të legalizohet e cila është në zhvillim e sipër, ka rreziqet e veta dhe këto duhet që të parashihen në bazë të ligjit. Mendoj që ekonomia e Kosovës dhe bizneset nuk duhet të frikësohen nëse kjo veçse finalizohet”.

Madje sipas tij kjo është një mundësi e mirë që përmes investimit në kriptovaluta të hapen mundësi për rimëkëmbje ekonomike dhe zhvillim.

“Në vendet e ndryshme të botës kjo ka ndikuar pozitivisht, sepse ata janë më të avancuar në këtë drejtim. Kosova është gjithmonë e fundit sepse jemi ekonomi dhe shtet i ri dhe të pa informuar në këtë drejtim. Andaj mendoj që ky ligj do të qartësoj të gjitha dhe do të hap mundësi për investime dhe rimëkëmbje ekonomike”, përfundoi ai.