ATK: I punësuari mund të aplikojë për subvencionim të pagës

ATK: I punësuari mund të aplikojë për subvencionim të pagës

Ekonomia October 14, 2021 - 12:02

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se të punësuarit e formalizuar kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionimin e pagës deri më 15 tetor.

Përmes një njoftimi për media, nga ATK-ja thuhet se nga kjo masë përfitojnë punëtorët që janë rikthyer në punë pasi e kanë humbur punën gjatë pandemisë, punëtorët e formalizuar dhe mbështetja për punësimin e grave.

“Duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/19, datë 14.07.2021, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, si dhe Vendimet e Ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, gjegjësisht Vendimet për subvencionim sipas masave: 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 1.2 - Mbështetja për të punësuarit e formalizuar, si dhe 1.3 - Mbështetja e punësimit të grave, Administrata Tatimore e Kosovës ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë të deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës për periudhat nga korrik 2021 e tutje”, thuhet në njoftim.

ATK-ja ka bërë të ditur se aplikimi mund të bëhet përmes aplikacionit që e kanë publikuar në uebfaqen e Administratës Tatimore të Kosovës.

“Pra, përmes uebfaqes së ATK-së, të punësuarit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga masat e Pakos së e Ringjalljes Ekonomike, si: Masa 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë - Mbështetje për tre (3) muaj nga njëqind euro (100€); Masa 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar - Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50 €); Masa 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave - Mbështetje për tre (3) muaj nga pesëdhjetë euro (50 €); Aplikimi është i hapur deri më 15 tetor 2021, në orë 24:00”, thuhet më tej në njoftim. /Zëri