Për 550 metra zgjatje të pistës së aeroportit “Adem Jashari” do të jepen 33 milionë euro

Për 550 metra zgjatje të pistës së aeroportit “Adem Jashari” do të jepen 33 milionë euro

Ekonomia September 15, 2021 - 11:13

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, së bashku me përfaqësuesit e KFOR-it dhe të LIMAK-ut kanë mbajtur konferencë për medie, për të dhënë detaje për punimet në pistën e Aeroportit.

Ministri Aliu ka folur për zgjatjen e pistës dhe normalizimin e hapësirës ajrore.

Ai theksoi se ky është hap i rëndësishëm për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik, duke pasur më shumë udhëtarë dhe turistë.

Nga 2500 metra, sa është zgjatja e pistës, do të bëhet në 3050 metra dhe do të kushtojë 33 milionë euro.

“Në këtë konferencë të flasim për zgjatjen e pistës dhe normalizimin e hapësirës ajrore dhe është projekt i veçantë për shkak se këtë aeroport e bën konkurrues në rajon dhe do të realizohet zgjatja e pistës në 3 050 metra nga 2 500 metra sa është”, tha ai.

Gjenerali i KFOR-it, Franco Federici, tha se me zgjerimin e pistës pritet të ketë edhe ulje çmimesh të biletave.

“Është ditë e rëndësishme që shënon një epokë të re dhe pres me kënaqësi instalimin e këtyre pajisjeve të reja në Aeroportin e Prishtinës. Ju përgëzoj për punën e shkëlqyer dhe ministër mund të jeni krenarë për të. NATO-ja luan rol të rëndësishëm brenda normalizimin të hapësirës ajrore ballkanike dhe ky është kontribut yni për zhvillim ekonomik të rajonit”.

Në anën tjetër, drejtori i Operacioneve në LIMAK, Gokman Ariaty, tha se janë krenarë për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Ne si LIMAK jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij projekti dhe do të doja ta falënderojë ministrin Aliu, sepse pa përkrahje nuk ishte bërë kjo punë, por jemi të lumtur që mbajtëm premtimin tonë dhe të gjitha palët kanë qenë përkrahëse”.