KEDS-i me investim zgjidh problemin e energjisë elektrike për shtatë fshatra në Vushtrri

KEDS-i me investim zgjidh problemin e energjisë elektrike për shtatë fshatra në Vushtrri

Ekonomia September 14, 2021 - 14:25

KEDS-i, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se po bën të gjitha përgatitjet në terren për stinën e dimrit, kështu duke qenë në çdo kohë në shërbim të të gjithë konsumatorëve në Kosovë.

Kompania ka shtuar tempin e investimeve edhe në fshatrat Oshlan, Pantinë, Shtitaricë, Duboc, Beçiq, Galicë dhe Akrashticë të komunës së Vushtrrisë.

Ky investim, që është planifikuar të përfundojë në muajin tetor, po bëhet në largpërçuesin 10 kV të stacionit hekurudhor, i cili do të jetë në një distancë prej 5.5 km dhe do t’u shërbejë rreth tre mijë banorëve të këtyre fshatrave.

Në komunikatën e dërguar nga KEDS-i thotë që ekipet fillimisht kanë nisur largimin e shtyllave të vjetra që kanë qenë të vendosura në zona fushore, për t’i zëvendësuar ato me shtylla betoni në afërsi të rrugës.

“E gjithë kjo për të rritur sigurinë për furnizim të qëndrueshëm dhe kualitativ, por edhe duke e bërë më të lehtë intervenimin e ekipeve tona në raste të avarisë, pasi zonat fushore shpeshherë nuk kanë qenë të qasshme për makineritë e rënda dhe ekipet e KEDS-it janë obliguar që të gjithë punën ta kryejnë fizikisht”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Kujtojmë që fshati Oshlan është nga vendet e para që është elektrifikuar në komunën e Vushtrrisë, ndërkaq tani po investohet në largpërçuesin e tensionit të mesëm, duke i dhënë pamje edhe më të mirë këtij fshati. /Zëri