Zeka: Shqetësuese që një numër i madh i bizneseve vazhdojnë të jenë të pafiskalizuara

Zeka: Shqetësuese që një numër i madh i bizneseve vazhdojnë të jenë të pafiskalizuara

Ekonomia September 07, 2021 - 13:08

Sot është mbajtur forumi i organizuar bashkërisht nga Oda Amerikane e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës me drejtorin e përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve, ku u diskutua për procesin e fiskalizimit dhe zbatimit të tij.

Në këtë forum u tha se përmbyllja e procesit të fiskalizimit dhe monitorimi i zbatimit të tij është proces i rëndësishëm në luftimin ekonomisë joformale dhe krijimin e një mjedisi, në të cilin të gjitha ndërmarrjet trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Është shqetësuese që një numër i madh i bizneseve vazhdojnë të jenë të pafiskalizuara, pavarësisht kohës së gjatë prejse ka filluar ky proces. Ekonomia joformale ka shënuar rritje prej shpërthimit të pandemisë COVID-19, ndërsa rritja e fiskalizimit dhe rrjedhimisht luftimi i ekonomisë joformale janë të rëndësishme për krijimin e kushteve për një mjedis të barabartë në treg”, u shpreh drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi theksoi se anëtarët e organizatave të biznesit në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë të trajtohet çështja e informalitetit.

“Ekonomia joformale dëmton ekonominë e shëndoshë, prandaj duhet të ketë një bashkëpunim ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve për të luftuar ekonominë joformale”, shtoi Rukiqi gjatë fjalimit të tij në këtë forum.

Po ashtu edhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se kjo është temë kritike për çdo shtet dhe jo vetëm për Kosovë.

Ai gjithashtu shtoi se ekonomia joformale është një lloj kanceri për ekonominë e shëndoshë, që është duke ndikuar negativisht shumë industri, po ashtu edhe konkurrencën në vend.

“Gjatë tre vjetëve të fundit ATK-ja ka pasur mbështetje nga organizatat ndërkombëtare për të ndihmuar me matje të ekonomisë të rregullt. ATK-ja vazhdimisht kërkon nga bizneset që të përmbushin detyrimet tatimore dhe punon drejt ngritjes së vetëdijes për përmbushjen e këtyre detyrimeve nga ana e bizneseve. Gjatë pandemisë ATK-ja ka parë ngritje të mëdha te gjobave dhe masave ndëshkuese për biznese, për shkak të kësaj ATK-ja ka propozuar masa të reja për ngritjen e vetëdijesimit. ATK-ja është duke kërkuar mënyrën më efikase për të vazhduar drejt fiskalizimit”, u shpreh Murtezaj.

Murtezaj theksoi se duhet të ketë një bashkëpunim mes ATK-së, bizneseve dhe qytetarëve, për të konsoliduar procesin e fiskalizimit.

Ai, për të ndihmuar në këtë proces, përmes këtij forumi u bëri apel gjithë qytetarëve që të kërkojnë gjithmonë kuponin fiskal.

Ruzhdi Zenelaj, nga ndërmarrja “Deloitte”, tha se është me rëndësi të punohet në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të ATK-së për mbikëqyrjen e procesit të fiskalizimit dhe zbatimit të legjislacionit tatimor në përgjithësi.

Ndërsa Driton Krasniqi, nga ndërmarrja “Emona Group”, tha se informaliteti shkakton shumë dëme për biznese dhe se arsyeja e informalitetit mundet të gjendet në shumë sfera të ekonomisë.

Ai gjithashtu shtoi se bizneset e vogla nuk deklarohen për shkak të një fitimi të vogël që në fakt shkakton shumë humbje për biznesin në afatgjatë, po ashtu edhe humbje për ekonominë.

Sipas tij, informaliteti është bërë kulturë ku bizneset mundohen të shmangin detyrimet tatimore edhe pse ka më shumë përfitime nga deklarimi dhe largimi i informalitetit.

Valon Jahaj, nga Shoqata e Operatorëve të Autorizuar për Pajisjet Fiskale, tha se sipas të dhënave nga Ministria e Financave llogaritet se mbi 10.000 ndërmarrje janë të pafiskalizuara, ndërsa shtoi se kohëve të fundit ka pasur edhe rritje të numrit të ndërmarrjeve që ofrojnë pajisje fiskale, por edhe oferta atraktive për ndërmarrjet e pafiskalizuara për pajisje me arka fiskale.

Pjesëmarrësit e tjerë të këtij forumi ngritën gjithashtu shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e informacionit në lidhje me ekonominë joformale dhe përforcimin e fiskalizimit. /Zëri