Kosova nënshkruan marrëveshje me Bankën Botërore për financim shtesë për COVID-19

Kosova nënshkruan marrëveshje me Bankën Botërore për financim shtesë për COVID-19

Ekonomia July 23, 2021 - 10:06

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore, Linda van Gelder, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit “Projekti emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financimi shtesë”.

Sipas njoftimit për media, qëllimi kryesor i marrëveshjes mbetet vazhdimësia e përgjigjes ndaj pandemisë përmes financimit për të mundësuar parandalimin, detektimin dhe reagimin ndaj COVID-19, si dhe për të ngritur kapacitetet e duhura në sistemet kombëtare të shëndetit publik.

“Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë eurove dhe vjen si vazhdimësi e Marrëveshjes bazë, e nënshkruar më datën 29 qershor 2020 me Bankën Botërore, e cila veçse kishte siguruar 46 milionë euro për menaxhim dhe reagim emergjent ndaj pandemisë. Projekti do të mundësojë prokurimin e vaksinave kundër COVID-19, vaksinimin efektiv të popullatës, përmirësimin e sistemit të imunizimit, zhvillimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave mjekësore, prokurimin emergjent të barnave esenciale për trajtim të COVID-19 dhe të ngjashmeve, si dhe zhvillimin e strategjisë shëndetësore, mes të tjerash”, bëhet e ditur në njoftim. /Zëri