Po punohet për një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike, thotë Murati

Po punohet për një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike, thotë Murati

Ekonomia June 18, 2021 - 18:22

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është në proces të dizajnimit të pakos së re të rimëkëmbjes ekonomike.

Kështu u shpreh ministri i kësaj Ministrie, Hekuran Murati, gjatë një takimi që pati bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, me përfaqësuesit e bizneseve vendore.

Në takim u diskutua lidhur me rimëkëmbjen ekonomike të vendit, pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Murati në këtë takim ka thënë se MFPT-ja tashmë është në proces të dizajnimit të pakos së re të rimëkëmbjes ekonomike, me ç’rast i ftoi bizneset për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet për, siç tha ai, “t’i kapërcyer sfidat që bizneset kanë pasur si pasojë e COVID19”, por edhe për të diskutuar lidhur me format e bashkëpunimit për rimëkëmbje ekonomike të vendit.

Më tutje, ai u shpreh se si Ministri me shumë vëmendje janë duke i analizuar sektorët të cilët janë prekur nga pandemia COVID-19, ashtu që përkrahja efektivisht të ndikojë në rritjen e bizneseve, e rrjedhimisht edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e eksportit e zhvillimin ekonomik

Hajdari, po ashtu potencoi se rimëkëmbja ekonomike është pikë kyçe e Planit të Qeverisë Kurti, ku fokus të veçantë, sipas saj, “do të ketë përkrahja e sektorëve të industrisë dhe prodhimit”.

Ajo gjithashtu shtoi se Qeveria tashmë është në proces të inicimit të Ligjit për tregti të jashtme, Ligjit për konkurrencë dhe për inspektorat, “ligje të cilat do të luajnë një rol vital në ekonominë e vendit”.

Sipas njoftimit të MFPT-së, përfaqësuesit e bizneseve vlerësuan lart iniciativën e ministrave Murati e Hajdari për gatishmërinë për të diskutuar me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, në mënyrë që të inkuadrojnë kërkesat dhe rekomandimet e tyre në kuadër të pakos së re për rimëkëmbjen ekonomike. /Zëri