Ministria e Bujqësisë nis pagesën e subvencioneve për fermerë

Ministria e Bujqësisë nis pagesën e subvencioneve për fermerë

Ekonomia June 15, 2021 - 10:17

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se ka filluar ekzekutimi i pagesave të subvencioneve nga kësti i dytë, që kap vlerën e nëntë milionë eurove.

Procesi i pagesës së subvencioneve të dyta, sipas njoftimit, ka nisur pas marrjes së opinionit ligjor nga Zyra e Kryeministrit, Ministrisë së Financave, të Punës dhe Transfereve dhe themelimit të Task-Forcës nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

MBPZH-ja ka thënë se ky proces në të kaluarën ka qenë tejet delikat, ndërsa ka theksuar se mënyra e shpërndarjes së këtyre subvencioneve është objekt i hetimeve nga organet e rendit.

“Për fermerët dhe opinionin rikujtojmë se procesi i shpërndarjes së subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë ka qenë një proces shumë delikat, sepse përfituesit në të kaluarën janë njoftuar pa mbulesë financiare.

Njëkohësisht mënyra e shpërndarjes së subvencioneve në të kaluarën është aktualisht objekt i hetimeve nga organet e rendit. Si rrjedhojë e kësaj, çdo veprim i ndërmarrë ka paraqitur domosdoshmërinë e marrjes së opinioneve ligjore deri në sigurimin e mjeteve si dhe bashkëpunimin e duhur me organet e rendit si garanci e mosdëmtimit të procesit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Task-Forca e themeluar nga ministri Peci ka për mandat shqyrtimin dhe verifikimin e secilës lëndë, e cila gjendet në procedurë të realizimit të pagesave në pajtim me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me Udhëzim Administrativ. /Zëri