Nënshkruhen kontratat 1.5 milion euroshe me 153 biznese, do të punësohen 353 persona

Nënshkruhen kontratat 1.5 milion euroshe me 153 biznese, do të punësohen 353 persona

Ekonomia June 14, 2021 - 11:04

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga programet: Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar (PZHRB 2021) dhe Programi për Rimëkëmbje Ekonomike (PRE M15).

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka thënë se nga ky projekt kanë përfituar 153 biznese, që pritet t’i punësojnë 353 punëtorë.

Ai ka bërë të ditur se ndihmë Ministrisë për realizimin e projektit i kanë ofruar BERZH-i dhe UNICEF-i.

“Janë gjithsej 153 përfitues, të cilët do t’i krijojnë afër 353 vende të reja të punës. Kjo është bërë në bashkëpunim me BERZH-in dhe UNICEF-in gjatë tre muajve të ardhshëm për t’i financuar këta punëtorë të rinj.

Do të ketë trajnime për përfituesit-praktikantë, të cilët do të jenë pjesë e këtij projekti”, është shprehur ai.

Po ashtu Damka njoftoi se projekti në fjalë do të kushtojë rreth 1 milion e 500 mijë euro, raporton EO-ja.

“Ministria e Zhvillimit Rajonal do të vazhdojë me këso projekte, me të cilat besojmë se do të zhvillojmë ekonominë dhe do të krijojmë vende të reja të punës Gjithsej ky projekt bashkë me start-up llogaritet të kushtojë 1 milion euro”, ka përfunduar ai.