Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Mbi 60 milionë euro u shpenzuan për ndërtimin e objekteve arsimore dhe kulturore

Mbi 60 milionë euro u shpenzuan për ndërtimin e objekteve arsimore dhe kulturore

Ekonomia June 08, 2021 - 11:16

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se 60 milionë euro janë shpenzuar për ndërtimin e objekteve arsimore e kulturore.

Deputetja Jetmire Vrenezi, nga LVV-ja, tha se ka pasur shumë parregullsi dhe paqartësi lidhur me realizimin e projekteve.

Tutje, ajo tha se Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit nuk i kanë përfillur rekomandimet e auditorit, duke përjashtuar këtu Ministrinë e Administratës Publike.

Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, iu adresua pyetje lidhur me çështjen e investimeve dhe kontratave dhe se cili është plani i tij për adresimin e këtij problemi.

Çeku tha se qysh nga marrja e detyrës kanë kërkuar pasqyrimin e projekteve dhe kontratave me çka edhe kanë ndërmarrë masa kudo që kanë hasur në shkelje.

“Çështja e auditimit të performancës, ne kemi filluar punën menjëherë, duke kërkuar pasqyrimin e të gjitha projekteve dhe kontratave, dhe kemi skanuar këto kontrata duke marrë edhe masa ndaj dyshimeve për vepra penale”, tha Çeku.

Ministri po ashtu ceki që janë 12 projekte që u ka skaduar afati bazë dhe të tjera që detyrohen t’i anulojnë.

Zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se sa u përket kontratave, kanë aranzhuar një kompani për të avancuar këtë çështje, raporton EO-ja.

“Një vërejtje e auditorëve ka të bëjë me kontratat dhe një gjë të tillë e ka bërë kjo ministri, ku ka aranzhuar një kompani sa u përket ndërtimeve dhe besojmë që kjo e avancon sektorin e kontratave”, tha Pupovci.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se do të kërkojnë llogari nga secili për të parë tutje se sa janë respektuar rregullat dhe rekomandimet nga ky raport.