Kërkohet që Qeveria ta vendosë si prioritet formimin e Gjykatës së Punës

Kërkohet që Qeveria ta vendosë si prioritet formimin e Gjykatës së Punës

Ekonomia June 06, 2021 - 08:27

Ekspertët e ekonomisë po e shohin të nevojshme krijimin e Gjykatës së Punës, që siç thonë ata do të kontribuonte në përshpejtimin e zgjidhjeve të lëndëve ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.

E sipas tyre qeveria duhet ta ketë në prioritet formimin e kësaj Gjykate.

Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat thonë se me vite të tëra kanë kërkuar formimin e kësaj gjykate.

I pari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi në një intervistë për Ekonomia Online, tha se me formimin e Gjykatës së Punës, zgjidhja e një lënde do të merrte kohë tre deri në katër muaj.

“Ne ka vite të tëra që kemi kërkuar që të kemi një Gjykatë të Punës pasi që siç e dini në shumicën e rasteve që mos marrëveshje më punëdhënësin dhe punëmarrësin që ka kaluar përmes Inspektoratit të Punës dhe sindikatës dhe është shkuar me më së pakti deri në 5 vite deri në përfundim të një raporti dhe me të drejtë kemi kërkuar që të kemi një Gjykatë të Punës pasi mendojmë se kjo Gjykatë e Punës ndoshta afati më madhor do të ishte 3 deri në 4 muaj dit deri të zgjidhja e një problemi”.

Azemi thotë se formimi i Gjykatës së Punës do të sjelltë lehtësim për punëtorët e sektorit privat, për kompanitë dhe për vendin.

“Edhe vet fakti që do të themelohet, prioritet duhet të jetë që këto lëndë dhe do të ishte lehtësim për punëtorët e sektorit privat por pse jo edhe për pronarët e kompanive edhe vet shtetin”.

Edhe për formimin e Gjykatës së Punës, Sindikata e Sektorit Privat në Kosovë do të jetë e zhurmshme deri te formimi.

“…në programin e kryeministrit vetëm është thënë se duhet të themelohet kjo gjykatë, por megjithatë ne kemi vërejtjet tona se duhet ta kem një prioritet mirëpo në programin e kryeministrit nuk përcaktohet një datë por mund të ndodhë, por mund të ndodhë që ndoshta atyre mund të ju bie në mend që e kanë pas 3 viteve”.

“Ne do të bëjmë presion që të fillojë sa më shpejt me implementimin për Gjykatën Themelore por duke u nisur nga e kaluara shpesh herë dështojnë”.

Të nevojshme krijimin e Gjykatës së Punës po e sheh edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

Shahini në një intervistë për Ekonomia thotë se do të ishte e nevojshme një Gjykatë që trajton punëtorët apo ndërmarrësit.

Përveç kësaj, Shahini thotë se në kuadër të Gjykatës së Punës do të duhej të zbatohej Ligji i Punës, marrëveshjet kolektive zbatimi i kontratave të punës, marrëveshjet me punëdhënësit dhe punëmarrësit mes sindikatave.

“Vendi jonë ka nevojë për t’i mbrojtë të drejtat e të gjithëë qytetarëve, ka nevojë për ti mbrojtë të drejtat e punëtorëve, të ndërrmarrësve të kreditorëve dhe në kuadër të saj vendi ka nevojë që të arrijë një marrëveshje kolektive për punëtorët, po ashtu të rris pagën minimale dhe të krijojnë Gjykatën e Punës, një gjykatë e cila i trajton temat e ndryshme qoftë punëtorëve ose edhe të ndërrmarrësve. Natyrisht që në kuadër saj do të ishte edhe Ligji i Punës, zbatimi i saj dhe zbatimi i Ligjit të lehonisë, marrëveshjet kolektive, zbatimi i kontratave të punës, marrëveshjet me punëdhënësit dhe punëmarrësit mes sindikatave dhe punëdhënësve, kjo do të ishte një gjë e mirë për të cilën mendoj që vendit do t’i duhej dhe gjithashtu lëndët e ndryshme për trajtim,e këto për punëtorët presim shumë më gjatë se çdo lëndë tjetër”.

I pari i AKB-së nuk pret që këtë vit të ndodh krijimi i kësaj gjykate, por ai thekson se nëse qeveria e trajton me seriozitet atëherë mund të ndodhë shumë shpejtë.

“Nuk e besoj se këtë vit do të ndodh diçka e tillë, por shteti nëse e sheh atë me prioritet, mund ta bëjë me shpejtësi të madhe për shkak se duhen disa ndryshime në legjislacion dhe të formojë një gjykatë në kuadër të Gjykatës Themelore, gjykatave ekonomike e të ndryshme edhe gjykatën e punës”, tha ai.