Vlora hap zyrtarisht sezonin turistik, mirëpret kosovarët

Vlora hap zyrtarisht sezonin turistik, mirëpret kosovarët

Ekonomia May 16, 2021 - 11:15

E cilësuar si perla e rivierës shqiptare, Vlora hapi zyrtarisht në mbrëmjen e së shtunës sezonin e ri turistik. Kjo u bë nën ritmet e muzikës, ku këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare performuan para të pranishmëve, raporton Ekonomia Online.

Festa vazhdoi me një koncert me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare Marsela Cibukaj, Klajdi Haruni si dhe Bruno.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës gjatë takimeve që kishte pasur me përfaqësuesit e medieve, theksoi se vaksinimi masiv në Shqipëri premton sezon turistik të mirë për të gjithë, derisa falënderoi kosovarët që vizituan brigjet e Shqipërisë vitin e kaluar, teksa i mirëpriti edhe këtë verë.

Bashkia e Vlorës edhe pse në kushte kur asgjë nuk parashikohet dot, nuk ka nguruar të bëjë thirrje për pushuesit që të zgjedhin pikërisht Vlorën për të kaluar pushimet.

Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj.

Ky event organizohet nga Trip to Albania dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.