Vokrri: Po rritet trendi i eksportit nga Kosova drejt SHBA-së

Vokrri: Po rritet trendi i eksportit nga Kosova drejt SHBA-së

Ekonomia April 30, 2021 - 22:54

Visar Vokrri nga Instituti Riinvest thotë se duhet eksploruar edhe tregjet tjera përveç ato të rajonit ku Kosova eksporton më shumë.

Ai ka thënë se kohëve të fundit po shihet një trend në rritje për eksport drejt SHBA-së, për të cilin është i mendimit se duhet të vazhdojë të rritet.

“Vjet janë eksportuar 24-25 milionë euro vlerë në SHBA, ndërsa në janar dhe shkurt të këtij viti janë eksportuar rreth 13 milionë. Kemi një rritje enorme”.

Vokrri në emisionin “Shtatë ditë me Panxhën” të Klan Kosovës tha se sektori privat u detyrua që të nisë punën nga zeroja pas përfundimit të luftës. Por, për gjendjen e këtij sektori, Vokrri fajëson edhe qeveritë.

“Ekonomia e Kosovës ka pësuar një deindustrializim të plotë gjatë viteve 90-ta. Edhe lufta e fundit ka shkatërruar edhe atë pak ekonomi apo sektor privat që ka mbetur deri në atë kohë. Sektori privat pas luftës ka filluar nga zero, por bilancit negativ tregtar mund të them që i ka kontribuar në masë të madhe edhe mungesa e një vizion zhvillimor nga të gjitha qeveritë e pasluftës”.

Ai gjithashtu ka folur edhe për barrierat e Kosovës në eksportim në vendet e rajonit.

“Që nga hyrja në CEFTA, Kosova sistematikisht është përballur me barriera të ndryshme tregtare nga të gjitha vendet pa përjashtim. E dimë mirëfilli se Serbia dhe Bosnja nuk e njohin Kosovën dhe këto dy vende janë më problematiket sa i përket eksportëve. Por, prodhuesit e Kosovës janë përballur me barriera tregtare edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Të gjitha vendet kanë aplikuar barriera qoftë të karakterit politik apo edhe barriera të ndryshme jotarifore ose teknike”.