OEAK-u kërkon nga Qeveria nisjen e hartimit të strategjisë nacionale për zhvillim ekonomik

OEAK-u kërkon nga Qeveria nisjen e hartimit të strategjisë nacionale për zhvillim ekonomik

Ekonomia April 20, 2021 - 12:15

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria që të nisë me hartimin e një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik.

“Zhvillimi ekonomik i bazuar në qasje strategjike është thelbësor për mundësimin e rritjes së matshme dhe të qëndrueshme ekonomike. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të hartojë një dokument strategjik si dokument udhërrëfyes për politikat e zhvillimit ekonomik”, thotë OEAK-u përmes një komunikate.

OEAK-u thotë se strategjia nacionale e zhvillimit ekonomik duhet të iniciohet në tremujorin e parë të qeverisjes së re dhe duhet të bazohet në një analizë të potencialeve dhe prioriteteve ekonomike e mes tjerash do të udhëzonte edhe sektorin privat në marrjen e vendimeve strategjike.

“Dokumenti strategjik do të shërbente në shmangien e vendimeve ad-hoc ose qasjes reaktive, e cila ka karakterizuar vendimmarrjen institucionale në të kaluarën. Në këtë mënyrë Qeveria, Kuvendi, si dhe hisedarët e tjerë jopolitikë dhe joqeveritarë do të mundë të vendosnin kontroll mbi zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke përcaktuar objektiva specifike, të matshme, të arritshme, reale, si dhe të lidhura me afatet kohore”, thuhet në komunikatë.

“Oda Amerikane beson fuqishëm se prioritetet si fuqizimi i sundimit të ligjit, adresimi i çështjeve që lidhen me kapitalin njerëzor, fuqizimi i lidhjeve me diasporën, nxitja e investimeve të brendshme dhe tërheqja e investimeve të jashtme, si dhe adresimi i infrastrukturës fizike me fokus në atë energjetike, duhet të përfshihen medoemos në Strategji, ndërsa hartimi i saj duhet të zhvillohet në konsultim të ngushtë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, ekspertët dhe institutet e ekonomisë, institucionet akademike, organizatat ndërkombëtare zhvillimore dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e sindikatave”.

Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane sugjeron që procesi i hartimit të strategjisë duhet të merret në konsideratë, por të mos kufizohet vetëm në faktorët si të dhënat ekonomike dhe demografike, burimet natyrore të Kosovës, anët e fuqishme, dobësitë, mundësitë, kërcënimet dhe trendët lokalë dhe globalë, si dhe zhvillimet teknologjike. /Zëri