Komunat do të përfitojnë rreth 4.5 milionë euro për projekte kapitale

Komunat do të përfitojnë rreth 4.5 milionë euro për projekte kapitale

Ekonomia April 14, 2021 - 14:49

Është mbajtur takimi i Komisionit të Grantit të Performancës Komunale në përbërje të përfaqësuesve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Agjencisë Suedeze, Ambasadës Norvegjeze, Zyrës Kombëtare të Auditimit, BIRN-it dhe INPO-s.

Drejtoresha e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Katharina Stocker, theksoi se ky takim dëshmon përkushtimin e përbashkët të të gjitha palëve, me qëllim që të kemi një proces transparent dhe të qëndrueshëm.

Në këtë takim nga Komisioni Teknik u prezantua raporti i rivlerësimit të performancës komunale 2019, i cili pas diskutimit të përbashkët nga të pranishmit u aprovua në parim nga Komisioni i Grantit të Performancës.

Pas aprovimit në parim të raportit të gjitha komunat do të njoftohen me rezultatet e tyre, ndaj të cilave mund të parashtrojnë ankesë brenda 7 ditëve.

“Me përmbylljen e këtij procesi do të nënshkruhen marrëveshjet e mirëkuptimit me komunat përfituese në vlerë të përgjithshme 4.350.000 euro për projekte kapitale në dobi të qytetarëve”, u tha në njoftimin për media të MAPL-së. /Zëri