Rriten të hyrat rreth 10% për periudhën janar-shkurt në Doganën e Kosovës

Rriten të hyrat rreth 10% për periudhën janar-shkurt në Doganën e Kosovës

Ekonomia March 04, 2021 - 14:30

Pavarësisht pandemisë, Dogana e Kosovës ka arritur t’i rritë të hyrat për rreth 10% më shumë, duke e krahasuar me periudhën e muajit janar-shkurt të vitit 2020.

Kështu ka thënë udhëheqësi i Drejtorisë së Zbatimit të Ligjit, Bashkim Arifi, në një konferencë për medie.

“Projeksioni i të hyrave për vitin 2021 është 1.2 miliard euro, që e kemi përmbledhje t’i mbledhim 124 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Përkundër kushteve pandemike, për këta dy muaj të vitit të hyrat janë në total afër 167 milionë euro dhe, duke e krahasuar me vitin e kaluar, është rreth 10% më shumë”, tha Arifi.

Udhëheqës i Departamentit Kërkimor, Driton Azemi, tha se Dogana e Kosovës ka kryer rreth 1070 ndalesa rrugore, duke shtuar se janë duke u hetuar 11 zyrtarë të Doganës për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

“Dogana e Kosovës këtë vit i ka kryer të gjitha përgatitjet dhe janë arritur këto rezultate, janë kryer 1070 ndalesa rrugore, 518 kontrolle në vendkalime kufitare dhe është konfiskuar mall i kontrabandur në vlerën prej 107 mijë eurove. Gjatë këtyre dy muajve Dogana ka trajtuar 224 kundërvajtje të zbuluara në vlerë malli prej mbi 600 mijë eurove. Prokuroria është duke i hetuar 11 zyrtarë të Doganës për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’”, tha Azemi. /EO