Certifikohen 53 auditorë të energjisë

Certifikohen 53 auditorë të energjisë

Ekonomia February 24, 2021 - 10:51

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) Muharrem Nitaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës (UP) Naser Sahiti kanë marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të auditorëve të energjisë.

Nitaj me këtë rast tha se janë trajnuar 53 kandidatë, projekt ky i ndihmuar nga GIZ-i, duke shtuar se do kontribuojnë në efiçiencë të energjisë.

“Aktivitetet po i bëjmë më të kufizuar shkaku i pandemisë. Ju njoftoj që MEA-ja ka angazhuar UP-në të kryejë trajnimin e auditorëve, e ndihmuar nga GIZ-i, ku janë trajnuar 53 kandidatë. Në mënyrë simbolike kemi ftuar tre kandidatë që do t’ua ndajmë certifikatat. Besoj që këta do ta kenë një rol të jashtëzakonshëm në caktimin e parametrave për adoptimin e normave për efiçiencë të energjisë”.

Kurse rektori i UP-së, Naser Sahiti, tha se ky bashkëpunim dëshmon se janë të gatshëm për zgjerim të aktiviteteve edhe në fushat e tjera.

“Si rezultat i bashkëpunimit ne realizuam trajnime ku certifikuam auditorë të energjisë. Është moment shumë i rëndësishëm për UP-në që tregon se ne jemi të gatshëm për zgjerim të aktiviteteve edhe në fushat e tjera”.

Kandidatët që morën certifikatat solemnisht ishin: Fahrush Azemi, Krenare Shkodra dhe Njomza Blaku.

Azemi tha se për një zhvillim të qëndrueshëm segmenti i energjisë është shumë i rëndësishëm, raporton EO-ja.

“Është moment i rëndësishëm për ne si individë dhe për Kosovën. Për një zhvillim të qëndrueshëm segmenti i energjisë është shumë i rëndësishëm. Masat duhet të merren në shumë objekte në Kosovë”.