Oda e Hotelerisë: Nuk do t’i respektojmë masat e paralajmëruara

Oda e Hotelerisë: Nuk do t’i respektojmë masat e paralajmëruara

Ekonomia February 23, 2021 - 12:36

Oda e Hotelerisë dhe e Turizmit e Kosovës (OHT) ka paralajmëruar institucionet se nuk do t’i respektojnë masat e reja kufizuese të paralajmëruara pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19.

Nga OHT-ja përmes një komunikate janë shprehur se që nga fillimi i pandemisë shumë biznese kanë pësuar si pasojë e masave nga pandemia COVID-19.

Ata vlerësojnë se gjatë gjithë kohës bizneset në përgjithësi kanë qenë të kujdesshëm në respektimin e masave dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë në çdo aspekt për mbrojtjen e qytetarit, ndërsa kanë kritikuar partitë politike që gjatë fushatës mbajtën tubime në kundërshtim të masave, transmeton “Zeri.info”.

“Mirëpo, në anën tjetër, pas një viti sakrificë të të gjitha bizneseve, të gjitha subjektet politike, të gjitha pa asnjë përjashtim, e shikuan vetëm interesin e vet. Manipuluan me popullin duke u bërë kinse interesohemi për ju dhe në momentin që i duhej po ky popull u anashkaluan komplet masat, duke dalë jashtë në turma, sikurse gjithçka ndërroi brenda nate e nuk po ekziston më virusi dhe në fund prapëseprapë me pasojat po përballen bizneset”, thuhet në reagimin e OHT-së.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se nuk e kupton paralajmërimin e institucioneve që pas fushatës po paralajmërojnë masa të reja.

“Është po i njëjti popull që tash është ‘liru’ e po dalin në kafe e restorante, sepse ishit pikërisht ju ata që u thatë që çdo gjë është në rregull, mundeni me dalë lirisht. Pas të gjitha këtyre ndodhive, çka janë këto paralajmërime se mundet me pas ndalesa të reja? Po doni me i mbyll prapë bizneset a? Po doni prapë me i dënuar qytetarët me gjoba e në anën tjetër po i leni pa punë? Pikërisht në momentin kur bizneset filluan pak me u ‘kfjell’ dhe me punu, ju doni me i mbyll prapë a? Ku është logjika e gjithë kësaj të nderuar?. Për qefet e juaja politike desh u bëtë copë nëpër salla të dasmave e në oda, ndërsa bizneset që me shumë mund punuan ditë e natë qe sa kohë vetëm sa për të mbijetuar, fare nuk i morët parasysh. Bizneset në fushën e gastronomisë dhe hotelerisë edhe gjatë kohës së fushatave tuaja me çdo kusht mundoheshin t’i respektonin masat e manualit, me qëllimin e vetëm ta ruajnë shëndetin e qytetarëve”, është shprehur Sogojeva në një postim që ka bërë Oda e Hotelerisë.

Sogojeva u bën thirrje të gjitha bizneseve nga të gjitha sektorët që të vazhdojnë t’i respektojnë masat e manualit, ndërsa institucionet i ka paralajmëruar se asnjë masë e re nuk do të respektohet.

“Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës edhe një herë ju bën thirrje juve, kushdo që jeni duke i planifikuar këto masa: Mos i kufizoni bizneset më, mos bëni eksperimente, përndryshe asnjë masë e palogjikshme nga ana juaj nuk do të merret parasysh dhe nuk do të respektohet!”, ka thënë ai. /Zëri