CARITAS-i zviceran shpall thirrje për aplikim për fuqizimin e sektorëve bujqësorë në 10 komuna

CARITAS-i zviceran shpall thirrje për aplikim për fuqizimin e sektorëve bujqësorë në 10 komuna

Ekonomia February 16, 2021 - 15:22

Me qëllim të promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës ekonomik rural në Kosovë, projekti “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Ekonomik Rural” (SIRED) shpall thirrje të hapur për aplikim për përzgjedhjen e agrobizneseve për zbatimin e prioriteteve të projektit në zinxhirë të përzgjedhur të vlerës.

Projekti SIRED zbatohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC). Gjithsej buxheti i projektit është 4.29 milionë euro, prej të cilave 1.5 milionë euro janë bashkëfinancim nga Komuna e Prishtinës dhe 293,000 euro janë kontribut nga Caritas-i Zviceran. Tetë komuna të tjera të Kosovës gjithashtu janë zotuar të kontribuojnë financiarisht për komunat e tyre.

Kjo Thirrje për Aplikim vlen për zinxhirët e mëposhtëm të vlerës:

o             Produktet Pyjore Jodrusore (PPJD) dhe Bimët Mjekësore dhe Aromatike (BMA),

o             Frutat manore (mjedra, dredhëza dhe boronica), dhe

o             Përpunimi shtëpiak i perimeve dhe pemëve.

Projekti synon të promovojë një sistem tregu më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës përmes rritjes së pjesëmarrjes së prodhuesve dhe akterëve të tregut, si dhe shtimit të të ardhurave dhe rendimentit të tyre, duke kontribuuar kështu në uljen e varfërisë për popullsinë rurale, në veçanti për gratë dhe grupet e margjinalizuara. Komunat e synuara nga projekti janë: Prishtina, Prizreni, Dragashi, Vitia, Kamenica, Suhareka, Shtërpca, Novobërda, Graçanica dhe Ranillugu.

Nëse jeni kompani, kooperativë, organizatë prodhuesish ose grup i grave, regjistruar në njërën nga dhjetë komunat e synuara nga projekti dhe veproni në njërin prej zinxhirëve të vlerës të përmendur më sipër, atëherë ju ftojmë të aplikoni duke vizituar vegëzën e mëposhtme ku mund të informoheni për të gjitha hollësitë e nevojshme.

Caritas-i Zviceran është një OJQ ndërkombëtare që vepron në Zvicër dhe në 20 vende të botës. Misioni ynë është parandalimi, luftimi dhe zhdukja e varfërisë. Caritas-i Zviceran punon në Kosovë që nga viti 1999, duke u përqendruar në gjithëpërfshirje shoqërore, zhvillim rural dhe rindërtim. Në bazë të strategjisë 2020-2025, fushëveprimi i aktiviteteve tona përfshin gjenerimin e të ardhurave, ndryshimet klimatike dhe migrimin.

Për informata të mëtejme, ju lutem kontaktoni Caritas-in Zviceran në Kosovë. /EO