Hoti: Marrëveshja për nxitje të investimeve me SHBA-në do të ndikojë në rritjen ekonomike

Hoti: Marrëveshja për nxitje të investimeve me SHBA-në do të ndikojë në rritjen ekonomike

Ekonomia February 08, 2021 - 09:54

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një mëngjes pune me bizneset, të cilat i ka njoftuar rreth përfitimeve nga Marrëveshja për nxitje të investimeve.

Hoti ka thënë se në shkurt të këtij viti qarkullimi i bizneseve ka qenë më i madh se ai i janarit të vitit të shkuar.

Marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar Hoti e ka quajtur mundësi të mirë për bizneset, e që do të ndikojë në rritjen ekonomike në vend.

“Ju kemi ftuar sot për një mëngjes pune dhe një marrëveshje që e kemi nënshkruar me 31 dhjetor 2020 që derivon nga marrëveshja e Washingtonit. Sot në muajin shkurt të bazë të vlerësimeve qarkullimi i bizneseve është më i madh se në janarin e vitit 2020, ku nuk ka pasur pandemi.

Jemi munduar me masat tona që t'ju qëndrojmë afër, tash jemi para një situate të re për nxitjen e investimeve dhe kjo besoj që është marrëveshja më e madhe që ka nënshkruar Kosova.

Shuma totale për projekte iniciale shkon në 1 miliard dollarë dhe kjo është mundësia më e mirë që e ka pasur Kosova dhe sigurisht që ka kritere për t’i marrë këto projekte nga DFC-ja dhe e para është që projekti duhet të ndikojë në rritje ekonomike në Kosovë.

Ne duhet të kemi instrumente financiare për t’i siguruar investitorët e jashtëm që ata të janë të sigurt”, ka shtuar Hoti.

Më 31 dhjetor të viti të kaluar kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, e cila mundëson vënien në dispozicion të mbështetjes financiare të ShBA-së, veçanërisht në sektorin privat të Kosovës.

Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar që të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike. /EO