“Pastrimi” paralajmëron grevë si rezultat i bllokimit të xhirollogarive bankare
Foto ilustruese

“Pastrimi” paralajmëron grevë si rezultat i bllokimit të xhirollogarive bankare

Ekonomia February 01, 2021 - 15:42

Kompania regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka paralajmëruar grevë si pasojë e bllokimit të xhirollogarive bankare. 

Asociacioni PAMKOS, shoqatë kjo që është themeluar me qëllim të mbrojtjes së ambientit dhe ofrimin e një platforme gjithëpërfshirëse për Kompanitë Menaxhuese të Mbeturinave të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse dhe menaxhmenti i institucioneve bankare që të adresohet me prioritet kjo çështje dhe të zhbllokohen menjëherë xhirollogaritë e KRM “Pastrimi” SH.A Prishtinë.

Kjo për faktin se, sipas PAMKOS, dokumentacioni dhe kërkesa në Ministrinë e Tregtisë konkretisht në ARBK për përditësim është dorëzuar me kohë prej anës së KRM “Pastrimi” SH.A Prishtinë.

“Përkundër sfidave të mëdha financiare dhe kushteve të vështira të operimit, sot kompanisë regjionale të mbeturinave KRM ‘Pastrimi’ SH.A Prishtinë i janë bllokuar xhirollogaritë Bankare ne Bankën për Biznes dhe Bankën Ekonomike me të cilat kryen shërbime bankare. E indinjuar prej situatës së krijuar si rezultat i mospërditësimit të të dhënave nga Banka Ekonomike dhe Banka Private për Biznes, Asociacioni PAMKOS kërkon prej institucioneve përgjegjëse dhe menaxhmentit të institucioneve bankare që të adresohet me prioritet kjo çështje dhe të zhbllokohen menjëherë xhirollogaritë e KRM ‘Pastrimi’ SH.A Prishtinë duke marrë në konsideratë faktin që dokumentacioni dhe kërkesa në Ministrinë e Tregtisë konkretisht në ARBK për përditësim është dorëzuar me kohë prej anës së KRM ‘Pastrimi’ SH.A Prishtinë”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Më tej thuhet se në rast se nuk merret në konsideratë kjo çështje dhe të bëhet zhbllokimi i xhirollogarive bankare në bankat e sipërpërmendura brenda ditës së sotme, si rezultat i së cilës nuk mund të bëhet ekzekutimi i pagave për punëtorët e Kompanisë “Pastrimi”, “atëherë nga dita e nesërme me dt. 02.02.2021 kompania do të ndërpresë shërbimin e grumbullimit dhe largimit të mbeturinave po ashtu punëtorët e kësaj kompanie do të hyjnë në grevë”.

“Është me rëndësi që burokracitë administrative të mos penalizojnë operimin e ndërmarrjeve publike të bartjes dhe largimit të mbeturinave. Nëse nuk merren masat e menjëhershme për zhbllokimin e llogarive bankare të KRM ‘Pastrimi’ SH.A Prishtinë, mbeten pa paga rreth 700 punëtorë të kësaj kompanive dhe greva e paralajmëruar sjell pasoja në ruajtjen e shëndetit publik si efekt i moskryerjes së rregullt të shërbimit të largimit të mbeturinave”, thekson asociacioni PAMKOS. /Zëri/