“Faturat e energjisë elektrike deri në maj do t’ju vijnë më lirë”

“Faturat e energjisë elektrike deri në maj do t’ju vijnë më lirë”

Ekonomia January 22, 2021 - 16:19

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike parasheh edhe subvencionimin e konsumatorëve të energjisë elektrike.

Pjesa e energjisë elektrike që ata paguajnë për energjinë elektrike që e marrin nga prodhuesit e energjisë nga burimet e ripërtëritshme do të subvencionohet.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, ka njoftuar se deri te kjo masë ka ardhur pasi qeveria në bazë të Ligjit ka ndarë një shumë deri në 16 milionë euro, e cila do t’u jepet atyre prodhuesve përmes KOSTT-it.

“Pra, mjetet do të derdhen në këtë kompani e nga aty tek prodhuesit. Kjo do të zgjasë nga janari deri në maj. Kjo nënkupton që shuma që e përfitojnë këta prodhues, do t’iu zbritet konsumatorëve. Në bazë të kalkulimeve del që konsumatorëve do t’iu zbritet në faturat e tyre çmimi prej 0.0061 cent për kilovat/orë të shpenzuar nga tash deri në maj. Kjo nënkupton që nëse një konsumator ka shpenzuar 1000 kilovat/orë gjatë 1 muaji, fatura do t’i vije 6.1 euro më lirë”, ka njoftuar Buzhala.

Sipas tij, subvencionimi është i lidhur direkt me prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme (BRE), rrjedhimisht zbritja në euro lidhet me konsumin e energjisë elektrike.

Buzhala thotë se ekspertët e KESCO-s kanë bërë maksimumin që përgatitjet për implelementimin e kësaj zbritjeje të bëhen me kohë dhe kësaj ia kanë arritur me sukses të plotë.

“Tashmë çdo gjë është gati dhe kjo zbritje ka filluar të implementohet në fatura”, deklaroi Buzhala.

Ai saktësoi se çmimet e energjisë elektrike caktohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe se, siç thotë Buzhala, këto çmime në Kosovë, sipas agjencisë zyrtare të statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, janë më të lirat në Evropë. /Zëri