Shërbyesit civilë: Ligjet veç në letër, shpeshherë s’po zbatohen

Shërbyesit civilë: Ligjet veç në letër, shpeshherë s’po zbatohen

Ekonomia January 19, 2021 - 09:22

Sindikata e Shërbyesve Civilë në vazhdimësi ka shprehur pakënaqësitë lidhur me trajtimin që i është bërë. Kështu ka thënë në një intervistë për “Ekonominë Online” kryetari i kësaj sindikate, Mursel Zymberi.

Ai tha se pandemia ka bërë që sektorët vitalë të mos marrin pagat shtesë.

“Me vetë faktin që kemi shprehur pakënaqësinë për diskrimimin që në vazhdimësi është bërë e në veçanti edhe kohëve të fundit me rastin e pandemisë dhe ndarjes së mjeteve buxhetore të taksapaguesve tanë për sektorë të caktuar dhe janë lënë sektorët vitalë që vërtetë kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në kohë të pandemisë dhe nuk janë bërë pagesa e pagave shtesë”.

“…sektorëve të tjerë u janë dhënë kjo tregon mjaftueshëm se si janë trajtuar shërbyesit civilë dhe prandaj them se kemi një pakënaqësi të madhe sa i përket trajtimit të shërbyesve civilë”.

Sipas tij, Kosova ka ecur mirë për sa u përket ligjeve në letër, por ato në praktikë nuk po zbatohen.

Zymberi shtoi se paga jubilare në sektorin e shërbimit civil merret vetëm 25%, përderisa sektorë të tjerë marrin komplet pagën.

“Me ligje Kosova ka ecur mirë për sa u përket ligjeve në letër, por ato në praktikë nuk ndodhin sepse dhe shpeshherë janë të pazbatueshme, sepse ne mëtojmë të jemi në Evropë, por rrethanat kosovare kërkojnë diçka tjetër. Prandaj, pavarësisht që kemi një ligj të administratës publike, ligj mbi organizimin e administratës publike në situata të caktuara edhe ato çështje, benefite që janë të parapara për shërbyesit civilë nuk zbatohen. Paga jubilare në sektorin e shërbimit civil merret vetëm 25%, përderisa sektorë të tjerë marrin komplet pagën. Shujtën e marrin sektorë të tjerë dhe nuk e marrin shërbyesit civilë. Këto janë të parapara në ligj. Shpeshherë shërbyesit civilë detyrohen të shkojnë në rrugën gjyqësore për të kërkuar të drejtën e tyre”.