Gastronomët kërkojnë zgjatjen e orarit të punës dhe faljen e gjobave për bizneset

Gastronomët kërkojnë zgjatjen e orarit të punës dhe faljen e gjobave për bizneset

Ekonomia January 13, 2021 - 20:58

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka dalë me katër kërkesa për Qeverinë e Kosovës.

Pas mbledhjes e cila është mbajtur të martën, Gastronomët sot kanë njoftuar për katër propozimet që ia kanë bërë Qeverisë, ku në mesin e tyre është zgjatja e orarit deri në orën 23:00 për funksionimin e bizneseve të gastronomisë.

Njoftimi i plotë:

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, dje më dt. 12 Janar 2021, ka mbajtur mbledhjen parë të Kuvendit të anëtarëve për këtë vit. Rend dite në këtë mbledhje përveç diskutimit të disa temave tjera me rëndësi për industrinë e gastronomisë, njëzëri u aprovua edhe ky:

V E N D I M

I. PROPOZOHET të bëhet zgjatja e orarit të funksionimit të bizneseve të gastronomisë deri në ora 23:00;

II. PROPOZOHET të bëhet heqja e kufizimit të lëvizjes së personave fizik në tërë territorin e Kosovës;

III. PROPOZOHET të bëhet falja e dënimeve të shqiptuara gjatë pandemisë ndaj bizneseve të gastronomisë;

IV. UDHËZOHEN bizneset e HORECA-së, të mos i paguajnë dënimet e shqiptuara gjatë pandemisë, deri në zbatimin e pikave të lartëpërmendura;

V. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit të tij.

Arsyetim:

Ky Vendim i Kuvendit të SHGK-së, vjen si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit të cilat kanë të bëjnë me organizimin e tubimeve të fushatës parazgjedhore, të cilat nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga vetë QK, lidhur me distancën fizike, vendosjen e maskave, grumbullimin e njerëzve, kufizimin kohor, dhe të tjera.

Përndryshe, kjo është në kundërshtim me një prej kategorive esenciale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht, nenit 3 [Barazia para Ligjit].

Para ligjit dhe Kushtetutës, jemi të gjithë të barabartë. Andaj, nuk pranojmë standarde të dyfishta!

Deri në zbatimin e këtyre Vendimeve, UDHËZOJMË bizneset e HORECA-së, të mos i paguajnë këto dënime.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës