Shqipëria fut për herë të parë në qarkullim kartëmonedhën 10 mijë lekëshe
Foto: Ilustrim

Shqipëria fut për herë të parë në qarkullim kartëmonedhën 10 mijë lekëshe

Ekonomia January 07, 2021 - 18:30

Tri kartëmonedha të reja, një prej të cilave nuk ka qarkulluar më parë në Shqipëri, do të hidhen këtë vit në treg.

Konkretisht sipas Bankës së Shqipërisë deri në fund të vitit 2021 do të dali në treg prerja e re 10 mijë lekë (100 mijë lekë të vjetra) që del për herë të parë në qarkullim dhe që ende nuk është bërë publike pamja e saj.

Megjithatë, janë publikuar detaje me shkrim se si do të mund të duket kjo kartëmonedhë e re.

“Vendimi miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të ‘Flamurit Kombëtar’, si dhe një varg të zgjedhur nga ‘Himni Kombëtar’, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT ‘Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim’. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës”, u tha nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Po ashtu do të dalin në treg prerjet e reja 1 mijë lekë dhe 2 mijë lekë, të cilat janë prezantuar me të gjitha elementet e sigurisë që do të kenë.

“Prodhimi i një serie të re kartëmonedhash është një proces kompleks, gjatë të cilit mund të hasen vështirësi teknike që mund të shkaktojnë ndryshime në afatet e planifikuara për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave”, thotë BSH.

Në vitin 2022 do të hidhet prerja e fundit prej 500 lekësh, ndërsa 200 dhe 5000 lekë u hodhën në qarkullim në 30 shtator të vitit 2019. Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit në fushën e prodhimit dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave, me qëllim që ato të jenë më të sigurta, duke ia bërë “më të vështirë jetën” falsifikatorëve.