Ahmeti tregon se cilat dokumente duhen dorëzuar nga bizneset për të përfituar nga granti
Foto: Laura Hasani

Ahmeti tregon se cilat dokumente duhen dorëzuar nga bizneset për të përfituar nga granti

Ekonomia December 21, 2020 - 13:15

Bizneset përfituese të grantit komunal për bizneset e prekura nga COVID-19 e kanë obligative t’i dorëzojnë të fotokopjuara qartë e të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që të mundë të përfitojnë nga ky grant.

Kështu ka thënë kreu i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke treguar edhe dokumentet e nevojshme për dorëzim, por edhe orarin për dorëzimin e tyre.

“Letërnjoftimin e vlefshëm, kopje në të dyja anët; Konfirmimin e llogarisë bankare në emër të biznesit; Certifikatën e re të biznesit (që ka numrin unik identifikues ku fillon me nr. 81 dhe është nëntëshifror)”, janë dokumentet e nevojshme, sipas Ahmetit, raporton “Zeri.info”.

Ai tha se dokumentacioni do të dorëzohet në sportelet në katin përdhes të ndërtesës së vjetër të Komunës.

“Në mënyrë që të shmangim tollovitë dhe të respektojmë masat mbrojtëse për #COVID-19 bizneset do të duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar sipas orarit të caktuar në KËTË LINK, në të kundërtën nuk mund ta bëjmë pranimin e dokumenteve. Për pranim do të përkujdeset ekipi i zyrtarëve komunalë”, theksoi kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. /Zëri