Infektuar: 67906
Shëruar: 59174
Vdekur: 1587
Ekonomia e Kosovës mbijetoi për të mos shkuar në kolaps

Ekonomia e Kosovës mbijetoi për të mos shkuar në kolaps

Ekonomia December 20, 2020 - 18:34

Jahir Morina, pronar i kompanisë ‘Princesha’ në Prishtinë ka mbajtur gjallë kompaninë gjatë nëntë muajve të pandemisë falë rezervave financiare.

Morina thotë se kompania e tij, e cila biznesin e saj e ka të shtrirë në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë, nuk ka arritur të krijojë të hyra financiare, por ka pasur vetëm shpenzime.

“Kompania ‘Princesha’ në fushën e ndërtimtarisë, për të mos e ndërprerë aktivitetin e saj, ka investuar mbi 4 milionë euro, ndërsa në gastronomi ka investuar 500 mijë euro për t’i paguar të gjitha obligimet që kanë qenë në vitin 2020”, thotë ai.

Sektori i ndërtimit, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti GAP, konsiderohet si një nga sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19.

Morina tregon se krahasuar me vitin e kaluar, shitja e banesave ka shënuar një rënie për 80 për qind.

Morina thotë se deri tani ka mbijetuar falë rezervave financiare që i ka pasur si biznes, por të cilat tashmë janë shpenzuar dhe nëse nuk do të ketë ndihmë nga shteti, problemet do të paraqiten në vitin 2021.

“Do të përballemi me një kolaps ekonomik që shumë shpejt do të reflektohet në mbarë ekonominë”, thotë ai.

Ekonomia e brishtë përballë pandemisë

Masat kundër përhapjes së pandemisë kanë ndikuar në masë të madhe në ekonominë e Kosovës duke krijuar humbje deri më tani në 1 miliard euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe shoqatave ekonomike.

Këto humbje nuk arritën të mbulohet nga ndihma që shteti ndau për ekonominë.

Por, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se ekonomia e brishtë e Kosovës, me një rritje ekonomike jo më shumë se 4 për qind ndër vite, brenda nëntë muajve të pandemisë me COVID-19, arriti të mbijetojë për të mos u futur në kolaps.

“Ekonomia e vendit mund të themi se ka shpëtuar nga kolapsi, por jo që shteti e ka ndihmuar shumë, por qytetarët dhe bizneset kanë pasur rezerva dhe i kanë përdorur ato mjete në këtë kohë”, thotë Shahini.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.