Hoti: Roli i ATK-së, kyç në zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike
Foto: Laura Hasani

Hoti: Roli i ATK-së, kyç në zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Ekonomia December 17, 2020 - 12:38

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga Administrata Tatimore që të zbatojë para së gjithash Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, por të kryejë edhe të gjitha përgatitjet për implementimin e Pakos së re fiskale, e cila pritet të finalizohet në javët e para të vitit të ardhshëm.

“Roli i Administratës Tatimore është kyç për shkak të autorizimeve ligjore që ka në të gjitha veprimet, por edhe për shkak të përvojës së akumuluar me vite të zyrtarëve, të ekspertëve, të cilët janë pjesë e ATK-së”, citohet të ketë thënë ai.

Sipas tij, gjatë këtij viti me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike Qeveria është munduar të kompensojnë maksimalisht bizneset nga ndikimi negativ i pandemisë COVID-19, për aq sa ka qenë edhe është e mundshme.

Në këtë vizitë në ATK Hoti ishte i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. /Zëri