Infektuar: 58399
Shëruar: 51081
Vdekur: 1466
Gastronomët: Masat nuk patën efekt, urgjentisht të hiqet kufizimi i lëvizjes

Gastronomët: Masat nuk patën efekt, urgjentisht të hiqet kufizimi i lëvizjes

Ekonomia November 30, 2020 - 12:10

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, janë shprehur të shqetësuar pasi masat e fundit të marra nga Qeveria e Kosovës, sipas tyre nuk kanë pasur efekt.

Sipas tyre ora policore nga ora 19:00 nuk ka pasur asnjë efekt dhe lakorja e infektimeve me COVID-19 vetëm është përkeqësuar, për këtë ata kanë kërkuar urgjentisht që të hiqet masa e kufizimit të lëvizjes, transmeton Zeri.info.

“Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi”, thuhet në një komunikatë nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Komunikata e plotë:

Të shqetësuar nga rezultatet jopremtuese nga masat e fundit të aplikuara nga ana e QK-së, që nga data 13 nëntor e deri më sot, jemi dëshmitar që lakorja e infeksionit COVID-19 vetëm është përkeqësuar. Më shumë se kjo, kemi rritjen e lakores së dëmit ekonomik, e cila çdo herë e më shumë po thellohet.

Këto politika që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, është evidente që nuk po arrijnë qëllimin e tyre, përkundrazi të pamenduara dhe shumë të rrezikshme për vendin, që do ti lëjnë gjurmët e pasojat e tyre për një kohë të konsiderueshme edhe pas pandemisë.

Sa i përket ndikimit të pandemisë dhe masave të QK në aspektin ekonomik, tashmë është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë.

Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit.

Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna.

Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi.

Për më tepër rreth COVID-19, mos të harrojmë që përhapja më e madhe e infeksionit ndodhë në hapësirat e institucioneve publike të cilat nuk i respektojnë masat parandaluese, nuk inspektojnë hapësirat e tyre të brendshme, por që kanë fokus primar dënimin e bizneseve private dhe këmbësorëve, duke shkaktuar papunësi të madhe në sektorin privat, derisa bëjnë çmos për të garantuar që pagat dhe mëditjet e tyre të mos u preken.

Për të përfunduar, të gjitha këto dhe i tërë serioziteti i kësaj çështjeje, përveç tjerash shpjegohet më së miri me mesazhin që kemi kuptuar të gjithë me turmat e pakontrolluara të njerëzve, mbledhjet, organizimet dhe fushatat e padinjitetshme të politikanëve në zgjedhjet e fundit në Podujevë, etj.

Pra, Ky është shembulli që marrim në këtë kohë krize e fatkeqësie!

Turp ju qoftë!