Milionat që nuk sollën dritë

Milionat që nuk sollën dritë

Ekonomia November 25, 2020 - 16:40

Nga 300 milionë euro sa ishte premtuar se do të investoheshin nga konsorciumi turk Çalik –Limak për distribuimin e furnizimit me energji elektrike, deri më tani janë investuar mbi 150 milionë euro, ka bërë të ditur zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala.

Ky konsorcium, i cili në vitin 2012 privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke e blerë atë për 26.3 milionë euro, kishte premtuar se për 15 vjetët e ardhshëm do të bëjë investime në rrjet, furnizim stabil të energjisë elektrike dhe zvogëlim të humbjeve komerciale dhe teknike.

Por, këto investime kanë treguar që janë të pamjaftueshme për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike, pasi që Kosova vazhdon të përballet me ndërprerje të kohëpaskohshme të energjisë elektrike.

KEDS/KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, ka për obligim furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike, Viktor Buzhala, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndërprerjet e energjisë janë si rezultat i renovimeve të cilat po ndodhin në rrjetin energjetik.

Ai thotë se këto ndërprerje janë të planifikuara dhe konsumatorët njoftohen me kohë.

“Në këto raste kur jemi duke bërë renovimin komplet të rrjetit dhe duke i zëvendësuar gjitha astet e rrjetit distributiv të tensionit të mesëm, këto nuk mund të kryhen nën tension dhe si rrjedhojë brenda ditës ne kemi bërë ndalesa të planifikuara, këto ndalesa nuk janë të shpeshta”, thotë ai.

Së fundmi në Prishtinë banorët e lagjes ‘Kodra e Diellit’, ‘Mati 1’ dhe disa lagje të tjera për orë të tëra janë ballafaqur me mungesë të energjisë elektrike. Gjatë vikendit të kaluar, banorët e këtyre lagjeve nuk kanë pasur rrymë gati 20 orë.

KEDS këtë ndërprerje e kishte arsyetuar me një prishje që kishte ndodhur në një nënstacion.

Por, edhe për ditët në vijim, KEDS përmes faqes zyrtare, njofton për ndërprerje të energjisë, për shkak siç thuhet, ‘punimeve të domosdoshme që do të bëhen’.

Renovimet në rrjetin energjetik edhe për disa vite

Për këtë vit, shton Buzhala një pjesë e madhe e renovimeve në rrejt kanë përfunduar, për të filluar përsëri në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Kemi trashëguar një rrejt energjetik në gjendje të rëndë kur është marrë në vitin 2013. Nevojitet renovim komplet dhe këtë jemi duke e bërë etapa- etapa. Renovimi emergjent do të marrë edhe disa vite kohë”, thotë Buzhala.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.