Zhbllokohen xhirollogaritë e Telekomit, nesër pritet të dalin pagat e punëtorëve
Foto: Laura Hasani

Zhbllokohen xhirollogaritë e Telekomit, nesër pritet të dalin pagat e punëtorëve

Ekonomia November 19, 2020 - 11:14
Image

Punëtorët e Telekomit po presin që nesër të marrin pagat e vonuara të muajit tetor.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë për “Zërin” se nesër Qeveria do të diskutojë për gjendjen në Telekom dhe pret po ashtu të marrë pagat e muajit tetor.

Balaj tha se tashmë janë zhbllokuar xhirollogaritë e Telekomit dhe nga mjetet që nuk janë tërhequr bashkë me ato që janë akumuluar presin që nesër në mëngjes të dalin pagat e punëtorëve.

“Jo ende, nesër me sa kam informacione Qeveria pritet të diskutojë për çështjen e Telekomit. Presim që nesër në mëngjes të dalin pagat, për shkak që gjatë kohës sa janë bllokuar xhirollogaritë, janë tërhequr mjetet dhe s’kemi pasur para. Tani që janë zhbllokuar llogaritë janë disa para që nuk janë tërhequr dhe disa të tjera që janë akumuluar dhe besojë që pagat nesër në mëngjes dalin”, tha Balaj për “Zërin”.

Pas protestave të para dy ditëve, punëtorët paralajmëruan grevë, por tashmë ky veprim është anuluar pasi Balaj tha se kërkesa kryesore e tyre për zhbllokimin e xhirollogarive është arritur, ndërsa shtoi se punëtorët nuk e njohin borxhin që ka Telekomi ndaj “Z-mobile” dhe presin që Qeveria ta zgjidhë këtë çështje.

“Grevat janë ndërprerë pasi kërkesa jonë për zhbllokimin e xhirollogarive është arritur, për momentin nuk jemi në protestë ose grevë. Po presim pagat dhe hapat që pritet t’i marrë Qeveria, pasi ne si punëtorë nuk e njohim borxhin ndaj ‘Z-mobile’ dhe nuk pranojmë që me para të punëtorëve të paguhet ky borxh. Në rast se Qeveria nuk merr masa, atëherë hapat sindikalë janë të pashmangshëm”, tha ai. /Zëri