Punëtorët e “Trepçës” vazhdojnë grevën, kërkojnë pagën e muajit tetor

Punëtorët e “Trepçës” vazhdojnë grevën, kërkojnë pagën e muajit tetor

Ekonomia November 19, 2020 - 09:38

Punëtorët e kombinatit “Trepça” që nga mbrëmë janë duke vazhduar grevën, me arsyetimin se ata nuk kanë marrë ende pagën e muajit tetor.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Gani Osmani, punëtorët do ta vazhdojnë grevën derisa ta marrin pagën e mbetur.

Osmani për “Telegrafin” tha se punëtorët e tri ndërrimeve kanë hyrë në grevë.

“Që nga dita e djeshme, përkatësisht nga mbrëmë, punëtorët e ‘Trepçës’ janë duke mbajtur grevë, me arsyetimin se ende nuk e kanë marrë pagën e mbetur të muajit tetor. Punëtorët janë këmbëngulës që do ta vazhdojnë të mos punojnë derisa ta marrin pagën”, tha Osmani.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të javës kishte marrë vendim që “Trepçës” t’i ndahen 1.1 milion euro.

Ky vendim është marrë pasi minatorët e minierës në Stantërg kishin ndërprerë punën në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor.

Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit “Trepça” kanë pasur vonesa në marrjen e pagave.